Kryetari aktual i Kamenicës, Qëndron Kastrati ka publikuar një sondazh që tregon se ai është në avantazh ndaj kundërkandidatëve të tij për zgjedhjet komunale të tetorit.
Kastrati i cili në zgjehdjet e 17 tetorit garon me një listë të pavarur tregon se nga ky sondazh del se kjo komunë mund të shkojë në balotazh, shkruan Reporteri.net.
“Projektet e reja zhvillimore, vazhdimi i atyre tashmë të nisura, transformimin që kemi bërë, nevoja për një mentalitet përparimtar modern me energji dhe i drejtë për të gjithë, më kanë bindur që duhet të kandidoj edhe për një mandat. Kjo tashmë është e vërtetuar edhe empirikisht nga të dhënat e hulumtimit të realizuar nga kompania UBO Consulting. Këto rezultate na rrisin entuziasmin për punë e angazhim edhe më të madh”, ka shkruar Kastrati.
Ai ka thënë se hulumtimi është realizuar në periudhën 28 – 31 gusht 2021 dhe se kredibiliteti i kompanisë realizuese është tashmë i dëshmuar në disa palë zgjedhje radhazi.
“Qeverisja jonë prinë me 14 pikë të përqindjes dallim nga vendi i dytë. Tashmë jemi në prag të fushatës zgjedhore, por përballë nesh kemi një situatë të rëndë me pandeminë, ndaj të cilës duhet të reagojmë bashkarisht dhe jam i bindur që do ta bëjmë”, ka shtuar Kastrati.