×
  • Lajme
  • Zgjedhjet Lokale 2021

    Sokol Haliti i LDK-së: Qytetarët do të ma japin besimin për ta ndërtuar Vitinë e Re në 4 vitet e ardhshme

    Reporteri
    06 Nëntor 2021 | 13:01

    Autor: Blendi Gashi


    Sokol Halitin, kandidatin e LDK-së, thuajse të gjitha sondazhet e nxirrnin fitues pa balotazh për kryetar të Vitisë. Por në raundin e parë të zgjedhjeve të mbajtura më 17 tetor këtë nuk e arriti, megjithatë doli i pari me më shumë se 7% të votave se kundërkandidati Arsim Ademi nga Vetëvendosje që doli i dyti.

    Haliti në një intervistë dhënë për Gazetën Online “Reporteri.net”, shprehet i bindur se do të fitojë edhe një mandate pasi do të fitojë balotazhin e 14 nëntorit ndaj kundërkandidatit të tij nga Vetëvendosje.

    Haliti në këtë intervistë tregon për koalicionet e mundshme me partitë, projektet madhore që ka në plan t’i realizojë nëse bëhet sërish kryetar dhe jep një vlerësim për udhëheqjen e partisë nga Lumir Abdixhiku.

    Lexoni intervistën e plotë me Sokol Halitin, kandidat i LDK-së për kryetar të Vitisë, dhënë për Gazetën Online “Reporteri.net”: 

    REPORTERI.net: Keni dalë i pari në zgjedhjet e 17 tetorit, por nuk fituat pa balotazh edhe pse sondazhet parashikonin një gjë të tillë. Cilat janë disa nga arsyet sipas jush?

    Sondazhet zakonisht mundë të kënë një marzhë të gabimit, edhe në rastin tonë ka pasë një marzhë të gabimit, mëgjithatë, jemi të bindur që në balotazh do të tejkalojmë çdo parashikim të sondazheve, dhe do të marrim përkrahjen e fuqishme të qytetarëve vitias.

    Balotazhi do të mbahet më 14 nëntor. A jeni në bisedime për ndonjë koalicion parazgjedhor me ndonjë nga partitë?

    Kemi përkrahje nga disa parti të vogla, por sa i përket koalicioneve parazgjedhore, edhe pse jemi të hapur për bashkëpunim, deri më tani nuk kemi pasë ndonjë bisedim konkret me ndonjë subjekt politik. Por, verdiktin final se kush do të qeverisë me Vitinë, në katër vitet e ardhshme do ta japin vet qytetarët.

    Cili do të jetë fokusi i fushatës për balotazh që do të bëni? Çfarë do të paraqitni para qytetarëve diçka që nuk e keni bërë fushatën e raundit të parë?

    Planprogrami jonë është katër vjeçar kështu që, do të paraqiten të gjitha projektet sipas planprogramit, dhe vetëm pse jemi në raundin e dytë nuk do të thotë që duhet të shpikim me patjetër diçka shtesë vetëm për kohë fushate, sepse që të gjitha janë të përfshira në këtë planprogram, pasi që ky plan është real dhe në përputhje me mundësitë financiare për ta realizuar atë, sipas programit katër vjeçar.

    Në raundin e dytë sfidoheni nga kandidati i Vetëvendosjes. Pse vitiasit duhet të ju besojnë edhe një mandat e jo kundërkandidatit tuaj?

    Qytetarët e Vitisë kanë shumë arsye që të na e besojnë edhe një mandat, sepse ata janë dëshmitarët kryesorë të ndryshimeve të mëdha që janë bërë në çdo lokalitet. Prej një qyteti të lënë krejt anash dhe të pazhvilluar, Vitia tani është njëra ndër komunat më të zhvilluara në nivel vendi, me vlerësime prej më të mirave nga organizata me renome ndërkombëtare, me bashkëpunim me partneritete të shumta, bashkëpunim me bashkatdhetarë, infrastrukturë të zhvilluar, me zhvillim ekonomik, me zona të gjelbëruara, me ambient të pastërt etj. Dhe duke parë ndryshimet e mëdha që janë bërë nga ne e duke i ditur projektet për të ardhmen dhe vizionin për Vitinë e Re, besojmë fuqishëm që qytetarët do të na përkrahin.

    Cilat janë 3 projektet madhore që do t’i realizoni nëse bëheni kryetar i Vitisë në 4 vitet e ardhshme?

    Nuk janë vetëm tri projekte madhore, në kuadër të vizionit “Vitia e Re”, parashihen shumë projekte të mëdha që do të realizohen në katër vitet e ardhshme në Viti.

    Por, si projekte primare për ne si komunë, janë kyçja e Vitisë përmes Gërlicës me autostradën “Arbër Xhaferi”. Poashtu, projekt tjetër madhorë është sigurimi i ujit të pijes për të gjitha fshatrat, zona ekonomike, përfundimi i palestrës sportive në Drobesh, përfundimi i shkollës në Pozheran etj.

    Si e vlerësoni udhëheqjen e partisë nga kryetari Lumir Abdixhiku?

    Reformë dhe rikthim i LDK-së. Kjo u vërtetua edhe në zgjedhjet e 17 tetorit, ku LDK doli e para për nga numri i votave për kuvendet komunale në Kosovë. Me këtë elektorati i Kosovës, edhe një herë e ka dëshmuar besimin dhe vlerësimin ndaj LDK-së.

    Për fund, cili është mesazhi që ju dërgoni vitiasëve?

    Porosia ime për qytetarët e Vitisë, është që të përkrahin progresin e Vizionit për Vitinë e re, dhe i cili do të vazhdoj edhe në mandatin e ardhshëm, me partneritete ndërkombëtare me performancë të lartë dhe të vlerësuar lartë nga shumë institucione kombëtare e ndërkombëtare, organizata të ndryshme, me infrastrukturë të rregulluar, me zona të gjelbërta, me parqe, me sinjalistikë, fusha sportive, hapësira të ndryshme për aktivitete të të rinjve e gjumëçka tjetër që i nevojitet një qyteti evropian, e që Vitia po shkon çdo ditë duke u evropianizuar. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!