Pa maska e pa distancë po i zhvillon kryesisht takimet kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj, duke i shkelur kështu masat e Qeverisë për parandalimin e përhapjes së Covdit.
Sipas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për masat kundër COVID-19, në ambiente të mbyllura lejohet grumbullimi vetëm deri në 20 persona, dhe duke respektuar distancën prej 1.5 metrash dhe mbajtja e maskës është obligative.
Por, kjo nuk po merret për bazë nga kandidati për Kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në disa fotografi të postuara nga vetë ai në Facebook, në shumicën e rasteve, në tubimet e Haradinajt në kryeqytet shihet se nuk janë duke u respektuar masat anti-COVID në fuqi.
Madje, masat nuk janë respektuar as një rastet kur takimet janë mbajtur në lokalet e gastronomisë në kryeqytet, ku lejohet vetëm që deri në 4 persona të grumbullohen në një tavolinë.
Pas situatës së krijuar nga COVID-19 në vend, para fillimit të fushatës zgjedhore ka qenë vetë AAK-ja e cila ka deklaruar se fushatën e paraparë për 30 ditë kanë vendosur ta shkurtojnë në 5 ditë dhe bënin thirrje që të respektohen në përpikshmeri masat anti-Covid, shkruan Reporteri.net.
“Duke pasur parasysh situatën e rëndë epidemiologjike me Covid-19, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka vendosur që Fushatën konvencionale për zgjedhjet lokale Tetor 2021, ta kufizojë në 5 ditë. Poashtu jemi të përcaktuar që edhe këtë afat 5 ditor të fushatës, ta zhvillojmë në përputhje të plotë me kriteret dhe rekomandimet për parandalimin e përhapjes së virusit”, kishte shkruar kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj në Facebook.
Në raportet 24-orëshe të Policisë së Kosovës raportohet për qindra gjoba të shqiptuara për qytetarët të cilët nuk respektojnë Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.
Gjobat për mosrespektim të këtij ligji fillojnë nga 35 deri në 2,000 euro, varësisht nga shkeljet.
Sipas vendimit të Qeverisë, personat të cilët nuk mbajnë maskën gjobiten me shumën prej 35 eurosh, shumë kjo e cila në qoftë se paguhet brenda dy javësh përgjysmohet.
Pas mbledhjes së fundit së Asociacionit të Komunave dhe Ministrisë së Shëndetësisë më 7 tetor, është vendosur që masat e fundit anti-COVID, të miratuara nga Qeveria e Kosovës më 24 shtator, do të vazhdojnë të jenë në fuqi edhe për dy javë të tjera.
Bartja e maskës dhe distanca fizike është obligative në çdo rast kur nuk jeni vetëm, në ambiente të hapura dhe të mbyllura. /Reporteri.net