×
  • Lajme
  • Lajme / E fundit

    Zjarri në IML, reagon Haxhiu: S’ka djegie apo dëmtim të mbetjeve mortore, arkivit dhe mostrave

    Reporteri
    21 Nëntor 2023 | 15:00
    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Fotografi nga arkivi.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nga vlerësimet fillestare për zjarrin në Institutin e Mjekësisë Ligjore, nuk ka pasur djegie apo dëmtim të mbetjeve mortore, arkivit dhe mostrave.

    “Rreth orës 08:00 të mëngjesit, nga drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, jam njoftuar që dy zyra në katin e dytë në objektin e IML, janë përfshirë nga zjarri. Ekipet e zjarrëfikësve, policia, prokuroria menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Nga vlerësimet fillestare, nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML dhe mostrave”, ka shkruar ministrja në Facebook.

    Ajo ka thënë se ekipet ende po kryejnë punën e tyre për të kuptuar shkaqet e zjarrit. Ka shtuar se pa kuptuar shkakun e zjarrit s’mund të jepen më shumë detaje.

    “Për shkak të atyre që kanë ndodhur në IML ndërvite, me të drejtë qytetarët mund të jenë të shqetësuar lidhur me këtë mirëpo pa kuptuar shkakun e zjarrit nuk mund të japim informacione më shumë. Sapo të kemi informacione më të detajuara lidhur me rastin, do të njoftojmë me kohë”, ka përfunduar ajo.

    Mëngjesin e së martës dy zyre në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë u përfshinë nga zjarri.

    Lidhur me rastin për Gazetën Online Reporteri.net janë deklaruar edhe nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

    Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj ka thënë se Prokurori i Shtetit me të dalë në vendin e ngjarjes ka lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve.

    “Ju njoftojmë se me të pranuar informatën nga Policia e Kosovës lidhur me incidentin e zjarrit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me të gjitha njësitë relevante për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të shkaqeve të këtij incidenti.

    Prokurori i Shtetit ka lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes dhe nga të gjeturat e tyre eventualisht në rast të paraqitjes së elementeve të veprës penale, do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme konform dispozitave të KPPRK-së”, tha Ulaj për Reporteri.net.

    Ajo shtoi se Prokuroria në koordinim me Policinë dhe IML-në dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar ndërmarrjen e veprimeve hetimore.

    “Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, IML-në dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore deri në sqarimin e plotë të rastit në fjalë”, tha Ulaj.

    Rreth zjarrit në IML ka pasur reagime të shumta.

    Ministria e Drejtësisë në një njoftim të shkurtë tha se nuk dihen ende shkaqet e zjarrit dhe se rasti po hetohet, por në anën tjetër partitë opozitare kanë kërkuar përgjegjësi dhe hetim të shpejtë të rastit.

    Zjarr në këtë objekt kishte pasur edhe në mars të këtij viti. Atë kohë nuk ishte raportuar për dëme.

    Dyshimet rreth shkakut, ishin një defekt në instalimin elektrik, por kurrë s’u vërtetua. /Reporteri.net/

    Zjarri në IML, reagon Haxhiu: S’ka djegie apo dëmtim të mbetjeve mortore, arkivit dhe mostrave

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!