×
  • Extra
  • Lista

    Njeriu që e bindi Millosheviqin t’i pranojë kushtet e NATO-s: Fakte që si keni ditur për Martti Ahtisaarin

    Reporteri
    26 Mars 2019 | 19:46

    Çmimi Nobel për Paqen për vitin 2008 iu dha Martti Ahtisaarit, ish-Presidentit të Finlandës, për përpjekjet e tij të mëdha, në disa kontinente dhe për më shumë se tre dekada, për të zgjidhur konfliktet ndërkombëtare.


    Kontributi i Ahtisaari ishte i madh kur Namibia arriti pavarësinë në vitet 1989-90, ai dha kontribut të veçantë  në Kosovë në vitin 1999 dhe vitet 2005-2007 dhe ndihmoi në përfundimin e konfliktit të gjatë në provincën Aceh në Indonezi në 2005, transmeton Reporteri.net.

    Reporteri.net ju sjell disa fakte për Ahtisarin që mund të mos i keni ditur.

    Ahtisaari lindi në Viborg  të Finlandës në vitin 1937. Në Luftën e Dimrit në  viet 1939-40, qyteti u aneksua nga Bashkimi Sovjetik dhe banorët e tij  u dëbuan. Me nënën e tij, ai u zhvendos nga një familje në tjetrën përpara se të vendosej në pjesën lindore të Finlandës, në qytetin e Kuopio. Këto përvoja fëmijërore e motivuan atë në angazhimin e tij të punuar për sigurimin e paqes në botë. Në vitin 1977, pas shumë vitesh në shërbimin e jashtëm, Ahtisaari u caktua Komisioner i OKB-së për Namibinë. Kjo detyrë nxiti interesin e tij për zgjidhjen e konflikteve dhe ndërmjetësimin e paqes. Ai ishte President i Finlandës nga viti 1994 deri në vitin 2000. Pas mandatit të tij presidencial, ai përsëri e përforcoi punën e tij për paqe, ndër të tjera duke krijuar Iniciativën për Menaxhimin e Krizave (CMI), e cila luajti një rol aktiv në sjelljen e marrëveshjes së paqes të Acehit në vitin 2005.

     Gjatë 45 viteve të fundit, karriera e tij ka qenë e ndërthurur me çështjet e zhvillimit dhe paqebërjen. Detyra e tij e parë e paqes rezultoi në pavarësinë e Namibisë. Kjo përvojë ka pasur rëndësi vendimtare në punën e tij të mëvonshme.

    Duke filluar më 1 korrik 1991, Ahtisaari shërbeu si Sekretar Shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës në Helsinki. Nga shtatori 1992 deri në prill 1993 filloi përfshirjen e tij në Ballkan kur u emërua Kryetar i Grupit Punues Bosnje-Hercegovinë të Konferencës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Duke filluar në korrik të vitit 1993, për një periudhë prej katër muajsh Ahtisaari shërbeu si Këshilltar Special në Konferencën Ndërkombëtare mbi ish Jugosllavinë dhe Përfaqësues Special i Sekretarit të Përgjithshëm për ish Jugosllavinë.

    Në vitin 1999, si i dërguar kryesor i Bashkimit Evropian, Ahtisaari arriti të bindë Sllobodan Millosheviqin që t’i pranojë kushtet e NATO-s për t’i dhënë fund fushatës ajrore në Kosovë.

    Në nëntor të vitit 2005,  Ahtisaari u kthye në Ballkan kur mori postin e të Dërguarit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për procesin e statusit të ardhshëm për Kosovën. Ahtisaari dhe ekipi i tij UNOSEK dërguan një propozim për zgjidhje, i  ashtuquajturi Plani i Ahtisarit, tek Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së në fund të marsit 2007.

    Ahtisaari ishte njeriu kyç që ndërmjetësoi në bisedimet për statusin e Kosovës, e cila u kurorëzua me pavarësinë e bazuar në planin e tij.

    Ai është i martuar me Eva Ahtisaari dhe bashkë kanë një djalë./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!