Turma e armatosur me shufra hekuri në protestën e mbrëmshme të opozitës plagosi Ymer Çelën, ish-truprojë të Sali Berishës, dhe djalin e tij, Erjon Çela. Ish-kryeministri Berisha që postoi fillimisht fotot e tyre tha se u dhunuan nga policia, ndërkohë që pamjet e transmetuara ekskluzivisht nga Report Tv nxjerrin blof këtë qëndrim. Në sytë e kamerave, sherri LIVE, i protestuesve që sulmojnë babë e bir. Erjon Çela për Report TV: Na rrahën pasi njohën babain tim, e thërritën në emër dhe na rrahën. Fillimisht menduan se ishim policë.
Një përleshje e dhunshme shpërtheu dje në mes të sheshit gjatë protestës së mbrëmshme të opozitë jokuvendore. Babë e bir, Ymer dhe Erjon Çela u rrahën me grushte e shkelma dhe më tej u goditën me një shufër hekuri, e cila ishte një patericë. Përleshja e dhunshme i la të plagosur me dëmtime të mëdha në kokë babë e bir, të cilët përfunduan për trajtim në Spitalin e Traumës.
Në një rrëfim ekskluziv për Report Tv, nga spitali i Traumës, Erion Çela tha se babai i tij, Ymer Çela ka qenë truprojë i ish-kryeministrit Sali Berisha deri në vitin 1998. Ishte pikërisht ish-kryeministri, ai që postoi në rrjetet sociale foto nga spitali të dy të palgosurve, ku zbuloi edhe identitetin e tyre. Nuk munguan akuzat ndaj policisë. Berisha tha se protestuesit paqësore u sulmuan nga policia. Sipas ish-kryeministrit “kriminelë të narkopolicisë civile kanë goditur me qytë revolveri dhe shkaktuar plagë të rënda në kokë, në hundë, në nofull dhe trup protestuesve paqësor Ymer Çela dhe djalit të tij Erjon Çela”. Por Report TV transmetoi ekskluzivisht Live gjatë protestës dhe i sjell sërish sot pamje që rrëzojnë këtë qëndrim të ish-kryeministrit, pasi babë e bir janë plagosur në kokë gjatë një sherri mes protestuesve të armatosur me shufra hekuri.
Pamjet tregojnë qartë se konflikti ka ndodhur në mesin e protestuesve ku Erjoni dhe babai i tij, të evidentuar qartë në pamje, qëllohen në mënyrë të vazhdueshme nga persona të tjerë në mesin e turmës. Situatën e qartësoi edhe më shumë djali i Ymer Çelës. Ai tha në intervistën ekskluzive për gazetaren e Report Tv, Doris Sallaku, se persona të paidentifikuar, njohën babain e tij e thirrën në emër, Ymer Çela, dhe më tej nisën të qëllonin me paterica në kokë dhe trup.
Protestuesit qe ndiqnin liderin demokrat Lulzim Basha nga kryeministria tek parlamenti, nga ish-hotel ‘Dajti’ deri tek Ministria e Brendshme nisën sulmin ndja Ymes Çelës dhe djalit të tij. Madje Erjon Çela, thotë se protestuesit fillimisht mund të kenë menduar se ai dhe babai i tij ishin policë të infiltruar.
“Në fillim jam goditur me grushte dhe shkelma, pastaj më ka ardhur një patericë turinjve. Kujtonin se ishte policia. Në vend ta hante drurin policia e hëngra unë. Filluan duke sharë babain tim, ky është Ymer Çela – thanë. Unë jam demokrat, babën e kam pasur bodyguard me Berishën dikur deri në 1998-ën”, tha ai.
Incidenti shumë i rëndë jo vetëm tregon gënjeshtrën e radhës të Sali Berishës, por edhe fakton që një pjesë e protestuesve në fakt kanë shkuar në shesh të përgatitur me shufra hekuri në përballje me policinë.