“Nuk ka dorëzim”, kështu ka thënë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq pas një takimi që ka njoftuar se ka pasur mbrëmë vonë me Ministrin serb të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviq.
Këtë deklaratë Vuçiq e ka bërë pasi mbrëmë Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.
Ky veprim tha se do të merret në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.
Kjo ndodhi pak orë pasi Policia rriti praninë në komunat e veriut, çka Serbia e cilësoi si “okupim të veriut”, shkruan Reporteri.net.
Policia e Kosovës ka njoftuar se do ta rrisë praninë e saj në veri, pas situatës së fundit të krijuar atje.
Po mbrëmë një polic i Kosovës është lënduar si pasojë e një sulmi që ka ndodhur ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Serbovc të Zveçanit, bëri të ditur Policia mbrëmë në orët e vona.
Sipas njoftimit, sulmi ka ndodhur rreth orës 23:00 nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit “Audi”, ngjyrë hiri, me targa KM.
Në tri ditët e fundit, incidente të njëpasnjëshme ndodhën Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut.
Gjithçka nisi të martën, derisa zyrtarët policorë po i shoqëronin autoritetet zgjedhore në këto dy komuna, të banuara me shumicë serbe. /Reporteri.net
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.