Më 17 shtator, presidentja e vendit Vjosa Osmani, mori rrugën për në Shtetet e Bashkuara për të pasuar me takime nga më të ndryshmet me liderë botërorë. Fokusi i saj, duket se është t’i japë më shumë zë Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Me të mbërritur në New York, presidentja kosovare shprehu falënderimet e saj për presidentin amerikan Joe Biden, për ftesën që ia bëri Kosovës.
Më 18 shtator, ajo mori pjesë në Sesionin e 78 të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara ku u shënua 10 vjetori i Grave Lidere në Politikë. Ajo theksoi se Kosova, në 15 vjetët e pavarësisë së saj, shquhet për lidership të grave në politikë, teksa potencoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe rrjetëzimit të vazhdueshëm me qëllim të fuqizimit të grave në jetën publike.
Takimin në nivel të lartë e nisi me presidentin e Kenias, William Ruto, një shtet që s’e njeh pavarësinë e Kosovës.
“Mezi presim ndërmarrjen e hapave të përbashkët që do t`i afrojnë tutje vendet dhe popujt tanë”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Në takim, ndër të tjera u diskutua edhe për mundësinë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Kenias, si dhe nxitjen e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike.
Më pas, takoi kryeministrin e Libanit, Najib Mikati. Në takim, Presidentja Osmani ka theksuar përkushtimin e Kosovës për formalizimin e marrëdhënieve diplomatike.
Po atë ditë, më vonë, Presidenti i Kenisë, William Ruto, ka shkruar për takimin që pati me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Ruto përmes një njoftimi ka dhënë mesazhe për dialogun. Dhe, ndonëse ende nuk e njohin Kosovën, ai i është referuar si shtet më vete.
Keniani Ruto beson se dialogu do të çojë në një zgjidhje të favorshme për të dy shtetet, Kosovën dhe Serbinë.
Më vonë, Osmani është takuar me kryeshefen ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright, njëherit edhe vajza e ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright. Me të ka diskutuar për bashkëpunimin në sektorin e energjisë.
Osmani ka thënë se mbesin të përkushtuar për Programin Kompakt, i cili tha se është investimi më i madh në Kosovë në fushën e energjisë. Ky kap vlerën prej 236.7 milionë dollarë amerikan.
Më 19 shtator, Osmani takoi Këshilltarin e lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet, si dhe Të Dërguarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Sipas njoftimit, zhvillimet në dialog kanë qenë temë themelore e diskutimit të Presidentes me Chollet dhe Escobar.
Ajo ka nënvizuar rëndësinë kyçe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përmbylljen me sukses të dialogut si dhe ka theksuar rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjeve.
”Me Chollet dhe Escobar diskutuam zhvillimet në dialog. Theksova rëndësinë e një qasjeje parimore për zbatimin e plotë dhe të balancuar të marrëveshjeve dhe se roli i SHBA-ve është kyç për të përfunduar me sukses procesin, duke i hapur rrugën njohjes reciproke”, ka thënë Osmani.
Osmani, është takuar edhe me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, në pritjen e organizuar për ndër të 50-vjetorit të anëtarësimit të Gjermanisë në OKB. Në këtë pritje, Osmani ka thënë se ka marrë pjesë me ftesë të Scholz.
Osmani ka shkruar se “jemi krenarë për partneritetin e palëkundur në mes dy vendeve tona, të cilin do të vazhdojmë ta forcojmë tutje”.
Me organizim të Shefit të Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në një darkë me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Ndonëse Kryeministri Kurti pati një mal kritikash ndaj emisarit Mirosllav Lajçak, që po ashtu ishte pjesë e kësaj darke, Osmani është parë duke biseduar me të. E, as për këto akuza nuk ka folur.
Siç bëri atë ditë të ditur komunikata e Presidencës, ndër të tjera në këtë darkë është folur për masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës duke thënë se ato vetëm se e pengojnë procesin e dialogut.
“Presidentja Osmani po ashtu ka theksuar se masat e BE-së ndaj Kosovës përveç që nuk i kontribuojnë avancimit të dialogut, ato, nëpërmjet pezullimit të projekteve të BE-së, më së shumti prekin interesat dhe mirëqenien e qytetarëve”, thuhet në komunikatë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në New York ka takuar edhe Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Osmani ka thënë se me Blinken diskutuan për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, stabilitetin në rajon dhe rëndësinë e bashkërendimit me aleatët.
Tutje ajo ka thënë se lidhja e Kosovës me ShBA-në është ekzistenciale dhe e pashkëputshme.
”Diskutim i rëndësishëm me Sekretarin Blinken për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, fuqizimin ndërkombëtar të vendit tonë, stabilitetin në rajon, si dhe rëndësinë e bashkërendimit me aleatët. Lidhja me ShBA-të është ekzistenciale dhe e pashkëputshme”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Osmani, është takuar në New York edhe me Emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, me të cilin ka folur për zhvillimet e fundit në dialog.
Në këtë takim, Osmani ka thënë se ka theksuar se suksesi i dialogut është i lidhur me zbatimin e balancuar të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, si dhe heqjen e masave ndëshkuese që B-’ja ka vendosur ndaj Kosovës.
“Në New York, u takova me @MiroslavLajcak për të diskutuar zhvillimet e fundit në dialog. Theksova se suksesi i tij është i lidhur me zbatimin e balancuar dhe të plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, si dhe me heqjen e masave të BE-së që po prekin qytetarët tanë”, ka shkruar Osmani, derisa ka bashkangjitur edhe disa fotografi nga takimi.
Lajçak më vonë e ka cilësuar si të dobishme bisedën me Osmanin, derisa ka thënë se janë pajtuar që të vazhdojnë diskutimet.
“Kisha një bisedë të detajuar dhe të dobishme me Presidenten Vjosa Osmani situatën aktuale në dialog dhe rrugën përpara në avancimin e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën e normalizimit. U pajtuam të vazhdojmë diskutimin tonë”, ka shkruar Lajçak.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar edhe presidentin amerikan, Joe Biden.
Presidenca ka njoftuar përmes një kumtese se “në një bashkëbisedim të ngrohtë me Presidentin Biden, Presidentja Osmani ka theksuar se në themelet e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës është aleanca e përhershme me SHBA-të”.
Rrjedhimisht, në këtë kontekst, thotë se ka përsëritur qëndrimin se partneriteti me Amerikën është ekzistencial, i pacenueshëm dhe i pazëvendësueshëm.
“Presidentja poashtu pati mundësinë ta njoftojë Presidentin Biden për zhvillimet e fundit dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova”, thuhet tutje.
Pas këtij bashkëbisedimi, Presidentja Osmani theksoi se ka marrë garanca të fuqishme nga Presidenti Biden për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj Kosovës. Presidentja Osmani ka falënderuar Presidentin Biden për ndihmën, të cilën në vazhdimësi e japin SHBA-të për Kosovën në rrugën e saj drejt stabilitetit dhe zhvillimit.
Sot, me ftesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mori pjesë në takimin e nivelit të lartë dedikuar agjendës për Gratë Paqen dhe Sigurinë (WPS).
Në organizimin e mbajtur në selinë e OKB-së, Osmani në emër të Kosovës, shpalosi të arriturat dhe objektivat e shtetit për sa i përket zbatimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Presidentja vuri në pah “rolin e jashtëzakonshëm që gratë e Kosovës kanë luajtur në procese të paqes dhe sigurisë përgjatë etapave të ndryshme të historisë”.
Osmani sot ka zhvilluar një takim edhe me Zëvendëskëshilltarin për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jon Finer.
Sipas Presidentes Osmani, në kohën kur siguria në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë kontinentin evropian po sfidohet, roli i SHBA-së është vendimtar për të ruajtur paqen dhe sigurinë.
Tutje, sipas komunikatës së Presidencës, Osmani theksoi se pavarësisht zhvillimeve aktuale politike dhe të sigurisë në rajon, Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, dialog dhe partneritet./Reporteri.net/