×
  • Lajme
  • Lajme

    Kërkesa e SHBA-së për dialog pa vonesa dhe “fshehja” e Osmanit e Kurtit pas pandemisë

    Reporteri
    08 Prill 2021 | 17:40

    Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, që qeveria e Kosovës të vazhdojë dialogun me Serbinë, Presidentja e re dhe Kryeministri i ri nuk po e radhisin këtë çështje tek prioritetet e tyre.


    “Kosova duhet gjithashtu të angazhohet në mënyrë produktive dhe pa vonesë në dialogun me Serbinë, të mbështetur nga SHBA-të dhe lehtësuar nga BE-ja”, është porosia e qartë e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për shefin e Qeverisë së Kosovës, që e dha përmes një letre që ia nisi Albin Kurtit të mërkurën.

    E pikërisht në ditën kur u publikua letra e sekretarit amerikan të shtetit, Anthony Blinken, presidentja Vjosa Osmani deklaroi që Kosova në këtë kohë pandemie e ka më prioritet sigurimin e vaksinës dhe jo dialogun me Serbinë.

    Osmani këtë deklaratë e ka bërë sot gjatë takimit me ambasadoren holandeze në Kosovë, Carin Lobbezoo.

    Presidentja ka theksuar se në situatën aktuale në të cilën ndodhet Kosova nga gjendja me pandeminë nuk mund të prioritizohet dialogu përpara sigurimit të vaksinave.

    Ajo ka shfaqur shpresën që në një situatë të tillë Kosova të mos lihet vetë dhe se nevoja urgjente për sigurimin e vaksinave do të mbështetet edhe nga shtetet mike.
    Që dialogu nuk është prioritet i Qeverisë së Kosovës në vazhdimësi e ka përsëritur edhe kryeministri Albin Kurti.

    Kurti para krijimit të qeverisë së tij kishte thënë se megjithatë ai do të merret me dialogun dhe bisedimet kurdo që të ndodhin, dëshiron t’iu japë formë të re bisedimeve për siç thotë “për t’i vendosur të dyja palët në pozita të barabarta”.

    Ai kishte shtuar se bisedimet nuk duhet të përqendrohen rreth mënyrës se si të kompensohet Serbia për humbjen e Kosovës.

    “Dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duhet t’i ndryshojë vendet tona për të mirë”, kishte deklaruar Kurti duke shtuar se me “Serbinë duhet të diskutojmë sinqerisht, hapur, seriozisht dhe me njerëzit si përfitues përfundimtar”.

    Ndërkohë që shefi i politikës së jashtme të SHBA-së në letrën e tij për qeverinë e Kosovës, ka thënë se qendër e marrëveshjes me Serbinë duhet të jetë njohja reciproke, që sipas Blinken është esenciale për avancimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së.

    Ai, në letrën e tij, i ka shkruar Kurtit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mirëpritur formimin e qeverisë së re dhe se presin të punojnë ngushtë për të siguruar, siç ka thënë ai, që Kosova sovrane, e pavarur, shumë-etnike dhe demokratike të zë vendin e saj si partner i barabartë në familjen euro-atlantike.

    Sekretari Blinken ka thënë se i kanë mirëpritur zotimet e kryeministrit Kurti për luftimin e korrupsionit, fuqizimin e sundimit të ligjit dhe rikuperimin nga pandemia COVID-19, si edhe përpjekjet e tij për realizimin e aspiratave të popullit të Kosovës.

    Edhe nga BE sapo u shpallën rezultatet e zgjedhjeve kërkuan nga Kurti që dialogu të jetë një nga çështjet për të cilat presin reagim konstruktiv.

    Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell pas zgjedhjes së Kurtit kryeministër ia ka përmendur Kurtit dialogun me Serbinë si një ndër çështjet kryesore për rrugën e Kosovës drejt BE-së.

    “Urime kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti. Presim të punojmë së bashku për ta sjellë dialogun Beograd-Prishtinë në një mbyllje të suksesshme. Kjo është thelbësore për rrugëtimin europian. BE mbështet plotësisht agjendën e reformave dhe trajtimin e COVID-19”, ka shkruar Borrell në Twitter.

    Edhe emisari Special i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë- Serbi Miroslav Lajçak, pas zgjedhjes së Kurtit ka thënë se BE është e gatshme për lehtësimin e dialogut Kosovë-Serbi.

    “Urime Albin Kurti në zgjedhjen tënde si kryeministër. Të uroj suksese në përmbushjen e pritjeve të mëdha të qytetarëve të Kosovës. BE-ja është gati të lehtësojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.

    Edhe në urimet e tyre për Vjosa Osmanin, Borrel e Lajçak kanë kërkuar që dialogu të jetë prioritet dhe kanë shfaqur shpresën se presidentja do të jetë konstruktive në këtë drejtim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!