×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Kush është shefi këtu? – mospajtimi i madh dhe i heshtur mes VV-së dhe LDK-së

    Reporteri
    10 Dhjetor 2019 | 22:25

    Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë harmonizuar programin qeverises, por kanë ngecur në finalizimin e marrëveshjes për shkak të pozitave ministrore si dhe atë të presidentit, të cilën e kërkon LDK-ja.


    Por, ka një mospajtim tjetër të madh mes tyre që është diskutuar në fillim të negociatave, është përmendur terthorazi nepër intervista por është lënë anash disi. Dhe ky është ‘shefi i ministrave dhe zëvëndës ministrave në Qeverinë Kurti’, shkruan Reporteri.net.

    Burimet e Reporterit kanë thënë se VV-ja kishte parashtruar në negociata ‘idenë që Kurti si kryeministër të konsultohet për gati gjithçka nga vartësit e tij’.

    Sipas këtyre burimeve, kjo madje ishte kërkuar edhe në rastet kur ata dëshirojnë të deklarojnë dicka për media, e deri të vendime të ndryshme nëpër ministri.

    Por siç thonë burimet e Reporterit, kjo temë ishte kundërshtuar rreptësisht nga LDK-ja, me arsyetimin se nuk mund të ketë kontroll të rreptë vertikal në qeveri dhe se ministrat duhet të kenë autonomi në punën e tyre.

    Një pyetje e tillë është bërë shpesh për zyrtarët e VV-së por ata nuk kanë folur se ka pasur mospajtime, por kanë theksuar se Albion Kurti do të jetë kryeministër dhe se ai do të merret me shumë çështje’.

    Nga LDK-ja ndërkaq janë përpjekur që ta quajnë si bashkë-qeverisje. Se ka një diskutim se kush do të jetë ‘shefi në qeveri’, u pyet edhe sonte deputeti i VV-së Xhelal Sfeqla, në një intervistë për mediat online.

    Por ai i gjarpëroi pyetjes, duke thënë se ‘Qeveria e ardhshme ka shumë punë në drejtësi, ekonomi e arsim’.

    Edhe në qeveritë e kaluara kishte qenë gjithmonë çështje diskutimi se kush vendos në qeveri, sidomos për emërime dhe shkarkime të ministrave.

    Gati asnjë kryeministër, as Thaçi, as Mustafa dhe as Haradinaj nuk kishin pasur fuqinë e plotë politike për të ndërmarrë veprime pa e pyetur partnerin qeverisës. Zakonisht partia ishte përgjigjur për ministrat e vetë.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!