×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Rron Gjinovci nis fushatën e linçimit të gjyqtarëve, pasi shpallën antikushtetues vendimin e Qeverisë Kurti

    Reporteri
    31 Mars 2020 | 17:06

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka kthyer përgjigje në rastin e masave kufizuese të Qeverisë, e të kontestuara nga Presidenti i Republikës. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, vendimi i Qeverisë shkel Kushtetutën.


    “5. Po ashtu, Gjykata vendosi njëzëri se Vendimi [nr. 01/15] i 23 marsit 2020 i Qeverisë nuk është në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenet 35 [Liria e Lëvizjes], 36 [E drejta për privatësi], 43 [Liria e Tubimit] të Kushtetutës dhe me nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4, nenin 8 (E drejta për jetë private dhe familjare) dhe nenin 11 (Liria e tubimit dhe asociimit) të KEDNJ-së”, thuhet në një nga pikat e aktgjykimit të Gjykatës.

    Por, ky institucion nuk po i pëlqen një analisti politik, dikur ish anëtar i Vetëvendosjes, Rron Gjinovci. Madje ai ka nisur linçimin për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.

    “Hajt thash te kqyri kush janë në Gjykatë. U shokova, sepse shumicës une po muj me ua identifiku lidhjet me PDK dhe LDK. Shtet katërcipërisht i kapun”, ka shkruar ai.

    Gjykata Kushtetuese po ashtu e shpallë të pavlefshëm vendimin e Qeverisë.
    “Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet 113.2 (1) dhe 116 të Kushtetutës, në nenet 20 dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 31 mars 2020, njëzëri
    VENDOS
    I. TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
    II. TË SHPALLË që Vendimi nr. 01/15 i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 23 marsit 2020, nuk është në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenet 35 [Liria e Lëvizjes], 36 [E drejta e Privatësisë] dhe 43 [Liria e Tubimit] dhe nenet 8 (E drejta e jetës private dhe familjare), 11 (Liria e tubimit dhe asociimit) të KEDNJ-së dhe nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4 të KEDNJ;
    III.TË KONSTATOJË që neni 56 [Të Drejtat dhe Liritë Themelore gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme] i Kushtetutës nuk është i aplikueshëm në rrethanat e rastit konkret sepse nuk kemi të bëjë me “shmangie” nga të drejtat dhe liritë themelore;
    IV. TË KONSTATOJË që, bazuar në nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës, kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore mund të bëhet “vetëm me ligj” të Kuvendit të Republikës së Kosovës;
    V. TË SHPALLË të pavlefshëm, në pajtim me nenin 116.3 të Kushtetutës, Vendimin e cekur në pikën II të këtij dispozitivi, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi;
    VI. T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
    VII. Ky aktgjykim, në pajtim me nenin 116.3 të Kushtetutës, nenin 20.5 të Ligjit dhe rregullin 60 (5) të Rregullores së punës, hyn në fuqi më 13 prill 2020; dhe
    VIII. TË PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit”, përfundon aktgjykimi i Gjykatës.

    Gjykata Kushtetuese përmes këtij dokumenti njofton se “ka përcaktuar një datë tjetër të hyrjes në fuqi të Aktgjykimit të saj, respektivisht datën 13 prill 2020, përjashtimisht dhe duke marrë parasysh: (i) rrethanat e krijuara me shpalljen e pandemisë COVID-19 në nivel botëror; (ii) rekomandimet përkatëse të institucioneve shëndetësore në nivel shtetëror dhe botëror; (iii) pasojat potencialisht të dëmshme për shëndetin publik si rezultat i shfuqizimit të menjëhershëm të kufizimeve të përcaktuara përmes Vendimit të Qeverisë; dhe (iv) mbrojtjen e shëndetit dhe interesit publik deri në zbatimin e këtij Aktgjykimi nga institucionet relevante të Republikës së Kosovës”.

    Ajo thotë se “Gjatë kësaj periudhe kohore dhe në kuptim të nenit 55 të Kushtetutës përkitazi me “kufizimin” e të drejtave dhe lirive themelore, institucionet relevante të Republikës së Kosovës, dhe në radhë të parë Kuvendi, duhet të ndërmarrin masat e duhura për tu siguruar që kufizimet e nevojshme të të drejtave dhe lirive themelore më qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, janë bërë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim”, shkruan ndër të tjera.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!