×
  • Lajme
  • Pa kategori

    5 mijë e 439 aplikantë në konkursin e fundit për t’u bërë pjesë e FSK-së

    Reporteri
    27 Gusht 2020 | 14:41

    Për plotë dy javë, ka qenë i hapur Konkursi për Rekrutët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës.


    Ky konkurs i hapur prej 10 deri me 21 gusht nga Ministria e Mbrojtjes ishte mundësi e mirë për shumë të rinj që të bëhen pjesë e FSK-së.

    Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se përgjatë këtij konkursi numri i përgjithshëm i kandidatëve të cilët aplikuan për t’u bërë pjesë e FSK-së është 5 mijë e 439.

    “Ministria e Mbrojtjes ka shpallur Konkursin për rekrutimin e rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës i cili ka qenë i hapur nga 10.08.2020 deri me 21.08.2020. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të cilët kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e FSK-së është 5 439 aplikues”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes, raporton Indeksonline.

    Por, pavarësisht këtij numri të madh të kandidatëve për t’u bërë pjesë e Ushtrisë së Kosovës, në FSK do të pranohen përafërsisht 400 pjesëtarë.

    “Numri i përgjithshëm i cili do të pranohet nga konkursi për rekrutimin e rekrutëve të rinj të FSK-së, mund të jetë përafërsisht 400 pjesëtarë”, kanë thënë në Ministrinë e Mbrojtjes.

    Ndryshe procedurat të cilat zhvillohen pas aplikimit të kandidatëve të cilët aplikuan për t’u bërë pjesëtarë të FSK-së, zhvillohen kësisoj:

    • Shqyrtimi fillestar i aplikacioneve
    • Testi fizik
    • Testi i Inteligjencës
    • Testi i njohurive të përgjithshme
    • Intervista
    • Testi/ekzaminimi shëndetësor.

    Ndërsa konfirmimi i pranimit në FSK, bëhet me kalimin e procesit të Pastërtisë së Figurës dhe Trajnimit Bazik.

    Ndryshe Forca e Sigurisë së Kosovës njihet si institucioni më i besueshëm në vend, tash e disa vite. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!