×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Anëtari i VV-së që u largua dhe akuzoi Kurtin se nuk i do njerëzit me mendim ndryshe, i bashkohet AAK-së

    Reporteri
    01 Shkurt 2021 | 17:10

    Ish-anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, Sami Ahmetaj, iu bashkua sot Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.


    Këtë e bëri të ditur lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj, i cili përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se Ahmetaj pas 13 viteve besim në demagogji mashtruese, kaloi nga populizmi në politikë serioze e kombëtare, shkruan Reporteri.net.

    Ahmetaj ka dhënë dorëheqje pas 13 vitesh në Vetëvendosje.

    Ai ka treguar arsyet se pse ka vendosur të jap dorëheqje nga partia e Albin Kurtit, teksa ka shpërthyer në kritika për këtë të fundit.

    Sipas tij janë disa arsye të dorëheqjes, duke e theksuar atë se Albin Kurti nuk i do në parti njerëzit që kanë mendim ndryshe, thotë se ata i margjinalizon në publik.

    Ai thotë se problemet me Albin Kurtin kanë filluar që nga viti 2019, kur kishte ndryshuar statutin e partisë që ia lejonte edhe të bëhet kryeministër edhe kryetar i partisë.

    Ky është postimi i plotë i Haradinajt:

    Jam i lumtur të mirëpres në Aleancë, z.Sami Ahmetaj, ish-kryetar i pikës në Dardani të Pejës dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së.

    Duke cituar fjalët e tij, Samiu pas 13 viteve besim në demagogji mashtruese, sot kaloi nga populizmi në politikë serioze e kombëtare.

    Me një Aleancë të fortë në Parlament dhe me mua si President i vendit, ne do të jemi kundërpeshë dhe të sigurojmë stabilitet dhe forcë për ta çuar Kosovën përpara së bashku.

    Ashtu si Samiu, gjithnjë e më shumë qytetarë po na mbështesin, duke kuptuar se vendi ynë është në udhëkryq dhe Kosova ka nevojë për vepra të mëdha dhe jo vetëm fjalë të mëdha.

    #ForcaeKosovës

    RH

    /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!