Në janarin e viti 2020, një grup prej disa ekspertëve nga Gjermania do të zbarkojnë në Kosovë.
Këta pritet që të ndihmojnë autoritetet vendore në implementimin e skemës për sigurimet shëndetësore. Skemë kjo e cila që disa vite iu mungon kosovarëve.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, gjatë ditës së sotme e ka pranuar një letër zyrtare nga homologu i tij gjerman, Jens Spahn.
Përmes kësaj letre, ministri gjerman i shëndetësisë, Jens Spahn konfirmoi gatishmërinë e shtetit pjesë e cilit ai është për ndihmë ndaj Kosovës në krijimin e sigurimeve shëndetësore.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili në një konferencë për media ka thënë se kjo marrëveshje bashkëpunimi është një hap i madh drejt realizimit të sigurimeve shëndetësore.
“Një ditë jashtëzakonisht e mirë dhe e rëndësishme për shëndetësinë kosovare. Tani po nisim bashkëpunimin konkret me Gjermaninë për të funksionalizuar Fondin e Sigurimit Shëndetësor, projekt ky që buron nga marrëveshja e nënshkruar në korrik me ministrin gjerman Spahn”, ka thënë ministri Ismaili.
Sipas tij projekti do të ndahet në dy faza, e para nga të cilat do të fillojë në janar të vitit 2020.
Në anën tjetër, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, u shpreh i bindur se me përkushtim të gjithëve mund të arrihet përparim thelbësor për qytetarët.
“Jemi krenarë që pas punës intensive të të dy ministrive tona të shëndetësisë, janë harmonizuar hollësitë e bashkëpunimit tonë në ngritjen e Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Kosovës. Ne jemi të bindur që me një përkushtim të madh të Qeverisë së Kosovës dhe punën e përbashkët të të gjithë akterëve të përfshirë, mund të arrihet përparim thelbësor për qytetarët”, ka deklaruar ambsadori gjerman.
Bashkëpunimi në mes të Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Kosovës dhe Fondit të Sigurimit Gjerman, AOK, i cili do të nis menjëherë në janar të vitit 2020, është një rezultat i një memorandumi të përbashkët të mirëkuptimit që u nënshkrua në korrik të këtij viti.