Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka folur për qeverisjen e tij disa mujore, derisa ka hedhur akuza në drejtim të ish-kryeministrit Kurti, për prishje të marrëdhënieve me miqtë ndërkombëtarë.
Hoti ka thënë se e ka marrë detyrën kur qeveria ishte e kërcënuar me sanksione dhe tërheqje të trupave nga detyra. Sipas tij, për vetëm pak javë, marrëdhëniet me Amerikën janë kthyer në pikën fillestare, që rezultoi edhe me nënshkrimin e marrëveshjes në Uashington, shkruan Reporteri.net.
“Unë e kam mbajtur lidhjen me miqtë ndërkombëtarë. Pas një kohe të caktuar komunikimi është ndërprerë edhe me mua si pasojë e asaj qeverie. Lidhjet që ka pasë LDK tash e 30 vjet mua më ka mundësuar që shpejt t’i hapim ato dyer. Kur e kam marrë detyrën e kam gjetë qeverinë me sanksione dhe kërcënime për tërheqje të trupave, me proces të bllokuar të dialogut”, u shpreh Hoti në Prime Time në Kanal 10.
Tutje, Hoti tha se ish kryeministri Kurti ka qenë i diskomunikuar nga Washingtoni.
“Zyrtarët e lartë të Washingtonit i kanë dhënë këto deklarata publikisht. U bllokuan fondet e MMC në qeverinë paraprake. Ai ka qenë i diskomunikuar nga Washingtoni. Në qeverinë paraprake gjendja ka shkuar deri në atë pikë, sa qeveria e Kosovës për herë të parë të ketë diskomunikim me Amerikën. Ne e kemi marrë gjendjen të izoluar në vend dhe për disa javë kemi nënshkruar marrëveshjen”, u shpreh ai. /Reporteri.net