Drejtori i Gazetës Online “Reporteri.net”, Bekim Kabashi ka komentuar rezultatet e sondazheve të fundit për zgjedhjet e 14 shkurtit dhe situatën në të cilën gjenden partitë politike.
Kabashi në emisionin “Politiko” të Kanal 10 ka thënë se NISMA Socialdemokrate për herë të parë do të mbetet jashtë Kuvendit.
Ai ka thënë se për dallim prej NISMA’s , partia e Ramush Haradinajt është në një pozicion më të mirë.
Kabashi ka vlerësuar se situata e AAK-së është me e favorshme për shkak se lideri i saj Ramush Haradinaj ka qenë vazhdimisht i angazhuar në tema të rëndësishme.
Ai e ka përmendur taksën 100 për qind ndaj Serbisë të cilën Haradinaj e ka mbrojtur me këmbëngulje dhe luftën e tij kundër shkëmbimit të territoreve. Me këto tema sipas Kabashit, Haradinaj ka arritur që ta mbajë elektoratin e tij.
“Deshta me folë pak edhe për AAK-në dhe NISMA sepse AAK është në pozicion më të mirë. Prej se është krijuar NISMA, lideri i saj nuk ka qenë në ndonjë post të lartë dhe ka qenë i pajtuar me rrymat si për dialogun, ndryshe prej z.Haradinaj tema që i ka nxitë e kanë karakterizuar politikën e Kosovës dhe angazhimi i tij për të penguar shkëmbimin e territoreve dhe kjo e bën Haradinajn një personalitet, që pavarësisht se trendi shkon te ndryshimi arrin të mbajë elektoratin. Ai e ndjek një rrugë që insiston dhe e mban atë rrugë. Për dallim prej Limajt që nuk është dëshmuar”, ka thënë ai.
Kabashi duke folur për sondazhin e realizuar nga “Albanian Post” e Baton Haxhiut, ka thënë se ky sondazh ka nxitur më shumë reagime se e ka paraqitur rritjen e VV-së.
“Nuk është sondazhi i parë ky që jepet në këto zgjedhje, problemi është se shumica e partive nuk i kanë pranuar këto sondazhe përjashto VV-në. Sondazhet nëse nuk kanë konfirmuar asgjë, e kanë konfirmuar trendin se VV është partia e vetme që është rritur kurse të tjerat ose kanë mbetur ku janë ose kanë pasur rënie. Duke nisur prej sondazhit të Fisnik Halimit, ka qenë sondazhi i T7 për të cilin kanë qenë kritik edhe vet porositësit meqë shtrirja e mostrës ka qenë e deformuar. Te sondazhi i Albanian Post është sondazhi që e ka parqitur rritjen e VV më shumë se të tjerët dhe natyrisht ka nxitur reagime, sidomos te NISMA e cila për herë të parë pritet të mbetet jashtë parlamentit. Është detyrë e NISMA mos ta pranojnë këtë sondazh edhe nëse në ndërdije janë të bindur se është i drejtë. Mbrëmë Batoni e shpjegoi edhe pjesëmarrjen që do të jetë më e madhe dhe do të jetë rekorde e cila e ka penalizuar NISMA’n. Pjesëmarrja mund të jetë edhe më e madhe se në 2019, NISMA e ka vështirë ta kalojë pragun për të mos thënë të pamundur”, tha ai.