×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Kidnapimi i tre policëve, Kurti: Po bëjmë çdo gjë që të lirohen sa më shpejtë, ndërkombëtarët ta dënojnë këtë agresion të Serbisë

    Reporteri
    18 Qershor 2023 | 12:35

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së sotme ka thënë se janë duke bërë çdo gjë që të lirohen tre policët e Kosovës që u rrëmbyen nga forcat serbe në fshatin Bare të mërkurën e 14 qershorit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në një deklaratë para mediave, kreu i Qeverisë i ka bërë thirrje sërish ndërkombëtarëve që të dënojnë agresionin e Serbisë.

    I pari i Qeverisë gjithashtu tha se në fillim të javës, Shefi i Zyrës ndërlidhëse në Beograd, Jetish Jashari do t’i vizitojë tre policët.

    “Jemi duke bërë çdo gjë që ata të lirohen sa më shpejtë, të pacenuar, ndërkaq në anën tjetër i ftojmë edhe njëherë faktorin ndërkombëtar që ta dënojnë agresionin e Serbisë me 14 qershor, ku njësitë e tyre ushtarake e policore rrëmbyen policët tanë, njësiti antiterror dhe ai Kobra i ushtrisë, tre policiët tanë në Leposaviq, të cilët ndodheshin pikërisht tek një rrugë e mbyllur ilegale e kontabandës. Sipas të gjitha gjasave, në bazë lajmeve që kemi, në fillim të javës që vjen, ambasadori Jetish Jashari, i cili përndryshe është shef i zyrës ndërlidhëse në Beograd do të arrijë t’i vizitojë këta tre policë”, tha Kurti para gazetarëve.

    Në anën tjetër, sot në konferencë për media, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se tre policët nuk janë prekur dhe nuk ju mungon asgjë, por nuk ka dhënë shenja për lirimin e tyre, pasi siç tha ai me ta do merren organet e drejtësisë.

    Ndërsa, dje Shtete e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje për herë të dytë në lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosova nga Serbia.

    Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller tha në një deklaratë se “arrestimi dhe ndalimi i tyre me akuza të pabaza, ka përkeqësuar një situatë tashmë të tensionuar”.

    “I bëjmë thirrje presidentit Vuçiq dhe qeverisë së Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor. Arrestimi dhe ndalimi i tyre i vazhdueshëm për akuza të pabaza ka përkeqësuar një situatë tashmë të tensionuar”, thuhet në deklaratë.

    Kërkesë për lirim të pakushtëzuar të zyrtarëve policorë kosovarë kërkoi dje edhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë.

    Dy vendet duhet “të bëjnë menjëherë gjithçka që munden për të qetësuar këtë situatë të pasigurt”, tha Annalena Baerbock në Berlin të premten përpara një takimi me homologun e saj nga Bosnje-Hercegovina, Elmedin Konakoviq. Si “një nga hapat e parë” drejt qetësimit të situatës, Baerbock i bëri thirrje Serbisë që “pa kushte” të lirojë tre policët kosovarë të kidnapuar nga autoritetet serbe

    Edhe deputeti gjerman, Andreas Schwarz, ka kërkuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lirimin e menjëhershëm të tre policëve kosovarë të rrëmbyer më 14 qershor.

    Përmes një reagimi në Twitter, Schwarz ka thënë se në këtë mënyrë situata në veri të vendit të cilën e ka quajtur shqetësuese, mund të përshkallëzohet.

    “Situata e sigurisë në veri të Kosovës është shqetësuese. Njësitë e KFOR-it janë dislokuar këtu, duke përfshirë Bundeswehr-in tonë! Presidenti Vuçiq duhet të organizojë lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të rrëmbyer për të de-përshkallëzuar situatën”, ka shkruar deputeti i Bundestagut gjerman.

    Lirim të menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të kidnapuar më 14 qershor, Serbisë i ka kërkuar edhe Britania e Madhe.

    “Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të ndaluar më 14 qershor”, tha gjatë ditës së djeshme qeveria britanike.

    E njëjta kërkoi që Kosova e Serbia të shmangin veprimet e njëanshme, të kenë përmbajtje maksimale dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për t’i ulur tensionet.

    “Ne përsërisim thirrjet tona për kryeministrin Kurti dhe qeverinë e tij që të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të komunave të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative që njësitë speciale të policisë të tërhiqen nga ndërtesat komunale”, thuhet në reagimin e qeverisë britanike.

    Gjykata e Lartë në Kralevë të premten ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh tre zyrtarëve policorë të Kosovës të cilët u rrëmbyen dy ditë më parë brenda territorit të Kosovës./Reporteri.net/

    Ndërkombëtarët kërkojnë nga Serbia lirimin e menjëhershëm të tre policëve të kidnapuar të Kosovës

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!