Reshjet e shiut që nuk kanë pushuar që nga dita e djeshme kanë shkaktuar vërshime në shumë qytete të Kosovës. Njëri prej qyteteve që është përfshirë më shumë nga vërshimet është Malisheva.
Rrugët e këtij qyteti janë bërë të pakalueshme nga sasia e madhe e ujit.
Në vazhdim mund të shihni një video se si janë përmbytur rrugët e Malishevës:
Zëdhënësi i Komunës së Malishevës, Artan Paqarizi, ka thënë për RTV Dukagjinin se ekipet kanë dalë në terren dhe po mundohen të sanojnë gjendjen.
“Gjendja momentalisht është e rënduar për shkak të reshjeve të vazhdueshme të shiut dhe borës, pasi lumi Mirusha dhe disa degë të saj tashmë kanë dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje. Gjendja mund të them se është e manaxhueshme dhe të gjitha ekipet emergjente kanë dalë në terren duke tentuar të mbajnë nën kontroll situatën”, thotë Paqarizi.
Edhe në Gjakovë është raportuar për dëme të konsiderueshme si pasojë e vërshimeve.
Vehat Hoxha, drejtor i Emergjencave në Komunën e Gjakovës ka thënë se gjendja më e rëndë është në fshatra.
“Momentalisht gjendjen e kemi stabile. Lumenjtë nuk kanë dalë nga shtrati, por problemin e kemi te bllokimi i kanalizimeve dhe kanalet e të reshurave atmosferike për shkak të ndërtimeve që janë bërë gjatë kohëve të fundit. Gjendja më e rënduar është në fshatrat e Rekës së Keqe”.
Vërshime janë raportuar edhe në Komunë e Suharekës por që atje gjendja duket më e qetë.
Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se reshje të shiut do të ketë edhe në ditët e ardhshme të cilat do të zëvendësohen më vonë me reshje bore.
Ai tha se do të ketë vërshime nga reshjet.
“Reshje do të ketë edhe në ditët e ardhshme, sot gjatë natës do të ketë reshje shiu të cilat më vonë do të zëvendësohen me reshje bore”, tha Aliu.
Reshjet e sotme të shiut kanë shkaktuar dëme të mëdha duke bllokuar rrugë e madje në disa qytete edhe disa shtëpi janë evakuar.