×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Pak para se KQZ të vendosë për certifikimin ose jo të tij, Kurti thotë se do t’i prijë listës së VV-së

    Reporteri
    22 Janar 2021 | 17:13

    Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka asnjë informatë lidhur me rekomandimin që i është bërë KQZ-së që të certifikohen edhe kandidatët me dënim në tri vitet e fundit.


    Ai, në një intervistë për Klan Kosovën, ka thënë se beson se është e drejtë elementare që në zgjedhjet e 14 shkurtit të garohet me listat që subjektet politike i kanë dorëzuar.

    “Për besë nuk i kam përcjellë lajmet, sepse jam duke takuar qytetarët. Besoj që është e drejtë elementare, njerëzore dhe civile që siç i kemi dorëzuar listat edhe të garojmë dhe 14 shkurtin që është festë e dashurisë ta bëjmë edhe të demokracisë”.

    Kurti i ka bërë këto komente në Drenas ku i ka vizituar bizneset që janë dëmtuar nga vërshimet e fundit.

    “Unë këtu jam në Drenas duke vizituar bizneset e vogla. Këtu e kanë përjetuar me shumë dëme vërshimin e fundit dhe dëgjuam hallet e këtyre bizneseve. Ne duam që t’iu ndihmojmë që ato të rriten – bizneset e vogla të bëhen të mesme dhe të mesmet të bëhen të mëdha. Jam shumë i lumtur nga ky kontakt i drejtpërdrejtë me qytetarët që pjesëmarrja do të jetë masive në zgjedhjet e 14 shkurtit”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!