×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Posta rikthen në punë drejtorin që dyshohet se sulmoi ish-zv/ministrin, mbyllet rasti në prokurori

    Reporteri
    07 Shtator 2020 | 19:36

    Posta e Kosovës i ka dhënë epilog incidentit që ndodhi mes dy drejtorëve të ndërmarrjes muajin e kaluar.


    Komisioni Disiplinor i Postës ka rikthyer në punë Vedat Tahirin, drejtorin e Shërbimeve Postare të suspenduar një muaj më parë për sulmin fizik ndaj Faton Thaçit, ish-zëvendësministrit të Tregtisë në Qeverinë e Kosovës.

    Thaçi, i cili aktualisht ushtron pozitën e drejtorit të Operativës në ndërmarrje, dyshohet se ishte sulmuar fizikisht nga Tahiri më 6 gusht në zyrat qendrore të Postës së Kosovës. Drejtori i Shërbimeve Postare të Postës ishte arrestuar po atë ditë nga Policia e Kosovës. Policia kishte hapur rast për ‘sulm ndaj personit zyrtar’ ndaj Tahirit.

    Por, derisa rasti gjendej nën hetim nga Prokuroria e Shtetit, palët e përfshira në incident janë marrë vesh që rasti të mbyllet, thuhet në një vendim të nxjerrë të enjten nga Komisioni Disiplinor i Postës së Kosovës.

    Në vendimin e Postës, të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi, theksohet se drejtori i Shërbimeve Postare është liruar nga përgjegjësia disiplinore.

    Vendimi i Komisionit Disiplinor të Postës /Insajderi.org

    Siç thuhet në vendim, Tahiri dhe Thaçi ia kanë shtrirë njëri-tjetrit dorën e pajtimit, si dhe janë “duke munduar të harrojnë incidentin i cili ka ndodhur dhe [Vedat Tahiri, v.j] ka premtuar se raste të tilla nuk do të përsëriten më”.

    “Komisioni Disiplinor pas shtjellimit dhe shqyrtimit të kësaj lënde dhe seancës së mbajtur me datë 01/09/2020, ka dëgjuar me vëmendje deklarimin e z. Vedat Tahiri, se i njëjti i vjen shumë keq për incidentin, duke shprehur keqardhje, sepse i gjithë incidenti ka ardhur në afekt, dhe se me kolegun e përfshirë në incident kanë arritur të ia shtrijnë dorën e pajtimit njëri-tjetrit duke i ruajtur raportet e mira kolegiale dhe duke munduar të harrojnë incidentin”, thuhet në vendimin e Komisionit Disiplinor.

    Pika 2 e vendimit të Komisionit Disiplinor nënvizon se dy drejtorët e Postës së Kosovës kanë kërkuar nga organet e drejtësisë, Prokuroria dhe Policia, që ta mbyllin rastin e hapur ndaj Vedat Tahirit.

    Policia e Kosovës e kishte arrestuar Vedat Tahirin më 6 gusht të këtij viti, pas denoncimit të rastit në Policinë e Kosovës nga Faton Thaçi, i cili pretendon të jetë sulmuar nga homologu i tij.

    “Sot [6 gusht, v.j] rreth orës 09:30 kemi pranuar informatën për një mosmarrëveshje që ka ndodhur brenda objektit të Postës së Kosovës. Hetuesit policor në koordinim të ngushtë me prokurorinë përkatëse kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme lidhur me rastin në fjalë, përfshirë këtu edhe arrestimin e personit të dyshuar. Rasti është hapur sulm ndaj personit zyrtar”, kishte thënë Policia e Kosovës.

    Faton Thaçi ka shërbyer si zëvendësministër i Tregtisë dhe Industrisë për më shumë se një vit në Qeverinë Haradinaj. Ai është anëtar i Nismës Socialdemokrate, të udhëhequr nga Fatmir Limaj.

     Faton Thaçi, në kohën kur ushtronte funksionin e zëvendësministrit të Tregtisë. Viti: 2018

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!