Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje në paraqitjen para Gjykatës Speciale ka thënë se as ai e as UÇK nuk ka kryer krime dhe se UÇK-ja me të padrejtë cilësohet ndërmarrje kriminale e përbashkët.
Ai ka thënë se e ka bërë detyrën si qytetar dhe se ka luftuar kundër Serbisë okupatore.
“Unë e kam bërë vetëm detyrën si qytetar, unë jam besnik çlirimtar. Luftën e kam nisur me Adem Jasharin, e kemi përfunduar me gjerelain Klark dhe NATO-n”, tha Selimi para Speciales, shkruan Reporteri.net.
Selimi, tha se ai dhe ish-pjesëmarrësit tjerë të Ushtrisë Çlirimtare, po akuzohen padrejtësisht.
“Sot këtu nuk jam si deputet që e kam kundërshtuar këtë gjykatë por si ish-ushtar i UÇK-së, themelues i saj, përballë një aktakuze të ngritur nga Prokuroria dhe ju z.gjykatës. Rolet këtu i kemi të ndara, jemi palë të ndryshme, por ju lutem më bëni të besoj se po ashtu qëllimi ynë do të jetë drejtësia, mbi të gjitha e vërteta. E pashë aktakuzën e ngritur nga Prokuroria. Ishte aktakuzë e rëndë, vuliminoze e mbi të gjitha e padrejtë. E pasaktë ndaj meje dhe luftës së popullit tim dhe shtetit nga vijë unë. Ky proces do ta dëshmojë që ishim popull i shtypur që luftuam për liri. Bëmë luftë të pastër dhe të drejtë, kjo luftë do të jetë e tillë edhe pas këtij procesi. Kush ka dyshime do të bindet se as unë as UÇK nuk kemi të bëjmë me krime e ndërmarrje të përbashkët kriminale siç akuzohemi padrejtësisht”, u shpreh Selimi.
“Po, unë kam luftuar kundër Serbisë, kundër Serbisë okupatore e cila veç të këqija i ka sjellë vendim tim. Prandaj, unë e kam bërë vetëm detyrën time si qytetar i vendit tim. Unë jam vetëm çlirimtar. Luftën e kemi nisur me Adem Jasharin dhe kemi përfunduar me gjeneralin Clark, me NATO-n. Drejtësia duhet të jetë qëllimi ynë këtu, pse jo edhe Prokurorisë”, tha Selimi.
/Reporteri.net/.