Përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu, ka thënë se Gjykata Supreme i ka hedhur poshtë të gjitha vlerësimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me pamundësinë e kandidimit.
Sallahu me anë të një postimi në rrjetin social ka shkruar se ky ka qenë më shumë rast ligjor se sa kushtetues.
“Ajo që nuk ishte dashur të bëj Gjykata Supreme, kishte të bënte me përuljen ndaj kundërkushtetutshmërisë së një veprimi të Gjykatës Kushtetuese që eliminon politikisht persona me peshë të jashtëzakonshme politike për të qenë pjesë e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare”.
“Sepse ky ka qenë rast ligjor më shumë se sa kushtetues. Turpi i juaj nuk do të harrohet, jo pse keni pasur të drejtë, por që keni qenë të ndikuar politikisht”.
Sallahu ka deklaruar se Supremja i ka konfirmuar të gjitha pretendimet e paraqituara në ankesën e LVV-së kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
“Gjykata Supreme ka konfkrmuar se: 1. Neni 100 i Kodit Penal të kohës nuk prodhon asnjë pasojë juridike për vepra të caktuata penale në kuptim të ndalimit të fitimit të së drejtës kushtetuese për tu zgjedhur. 2. Ligji për Zgjedhje nuk është lex specialis në raport me nenet përkatëse të Kodit Penal të kohës. 3. Ligji për Zgjedhje duhet të zbatohet përshtatshmerisht me nenet përkatëse të Kodit Penal të kohës. 4. Ligji për Zgjedhje, konkretisht neni 29 par.1 pika q) nuk prodhon pasoja juridike të veçuara nga neni 100 i Kodit Penal të kohës”, ka shkruar Sallahu.