×
  • Lajme
  • Zgjedhjet Lokale 2021

    Fushatës së VV-së i bashkohet edhe kryeparlamentari Konjufca, Krasniqi paraqitet me një simbolikë të veçantë e LDK-ja gjobitet nga PZAP

    Reporteri
    01 Tetor 2021 | 23:48
    Kronika Zgjedhore - Reporteri - Zgjedhjet lokale 2021

    Fushata për zgjedhjet lokale të 17 tetorit po hyn në dyjavorin e fundit dhe po bëhet edhe me intensive.


    Kjo duket edhe nga dalja në teren e Glauk Konjufcës së Vetëvendosjes, njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.

    Sot për herë të parë që nga fillimi  fushatës Konjufca ka dalë në teren. Ai i ka dhënë mbështetje kandidatit të kësaj partie për kryetar të Mitrovicës, Agim Bahtiri.

    “Sa herë që vjen Glauku në Mitrovicë, takimet bashkë me aktivistë kanë një harmoni të papërshkrueshme. Një energji dhe zell fitoreje mbretëroi në shtabin tonë gjatë takimit të sotshëm. Këtë frymë e shpërndamë me një ecje që bëmë përgjatë shetitores së qytetit”, ka shkruar Bahtiri teksa ka njoftuar për vizitën që ia ka bërë Konjufca.

    E kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi sot në fushatë është paraqitur me një simbolikë të veçantë.

    Tetori është muaji rozë, kundër kancerit të gjirit. Fushatës vetëdijësuese për parandalimin dhe diagnostifikimin e hershëm të kancerit të gjirit i është bashkuar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

    Krasniqi në aktivitetet e fushatës për zgjedhjet e 17 tetorit, në ditën e parë të tetorit ka vendosur në fjongon rozë që simbolizon ndërgjegjësimin e grave për këtë sëmundje.

    Ky detaj është vërejtur tek Krasniqi në një aktivitet që e ka zhvilluar në mbështetje të kandidatit të PDK-së në Shtime.

    “Nga takimet e sotme në Shtime, pashë vullnet e mobilizim të jashtëzakonshëm të qytetarëve të kësaj komune për ta zgjedhur në raundin e parë Naim Ismajlin për kryetar. Për të vazhduar qeverisjen e mirë, të ndershme dhe të hapur për të gjithë qytetarët, pa dallim. Për vite me radhë, Shtimja ka krijuar perspektivë për zhvillimin e potencialit të rinisë, ka ofruar zhvillimin e ekonomisë, ndërmarrësisë, arsimit, sportit dhe kulturës. Të gjitha të arriturat e këtij qyteti e kanë vulën e Naim Ismajlit dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Andaj, fitorja bindëse e PDK-së me 17 tetor në Shtime, është e pashmangshme.”, ka shkruar Krasniqi.

    Kurse për Lidhjen Demokratike të Kosovës sot nuk ka qenë një ditë e mirë. Kjo për shkak se Paneli Zgjedhor për Anesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka gjobitur me pesë mijë euro këtë subject për vendosjen e materialit propagandistik të fushatës për kandidatin për kryetar të kësaj komune, Përparim Rama.

    Vendimi ka ardhur pas ankesës së subjektit tjetër politik Lëvizja Vetëvendosje, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”

    “Pranohet si e bazuar ankesa e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje me sli në Prishtinë me Anr.604/2021 e datës 29.09.2021 dhe subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës me seli në Prishtinë për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për subjektet politike-vendosja e tendave dhe tavolinave me materiale propaganduese, në rrugët publike për qëllime elektorale të subjektit politik LDK, i shqiptohet dënimi me gjobë në shumë prej 5 mijë e 100 euro, cilën gjobë detyrohet ta paguaj në afat prej 15 ditëve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi nën kërcënim të përmbarimit”, thuhet në vendimin e PZAP.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!