Nga paslufta komuna e Istogut është bastion i pathyeshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Komuna nga vije presidenti i ndjerë i kësaj partie, në të gjitha zgjedhjet lokale ka pasur besimin më të madh të qytetarëve, duke mos provuar asnjëherë ndonjë parti tjetër në udhëheqjen komunale, shkruan Reporteri.net.
LDK pret që edhe në zgjedhjet lokale këtë komunë ta mbajë të ‘pathyeshme’, pra bastion të saj, por nuk do ta ketë lehtë si zgjedhjet e kaluara.
Një prej arsyeve është se LDK në zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën më 14 shkurt doli e dyta në Istog me 25.056%, ndërsa e para doli Lëvizja Vetëvendosje me 45.54% të votave.
LDK synon ta mbajë të pathyeshëm Istogun me kandidatin e saj, Ilir Ferati, që është djali i kryetarit të ndjerë Fadil Ferati.
Por këtë bastion në zgjedhjet e 17 tetorit dynojnë ta thyejnë njëri nga kandidatët, Agron Avdijaj nga Lëvizja Vetëvendosje, Ali Nimanaj nga PDK, Bekë Berisha nga AAK apo Idriz Blakaj nga Iniciativa Qytetare për Istogun.
Rezultatet ndër vite:
Më poshtë mund të gjeni rezultatet e detajuara për kryetar komune të zgjedhjeve nga viti 2007 deri në vitin 2017.
LDK nuk kishte arritur të fitojë zgjedhjet lokale të 2007 në raundin e pare, pasi kishte marrë 42.61% të votave, ndërsa e dyta ishte renditur 24.36%, LDD kishte marrë 16.93%, AKR 6.74%, kandidati i pavarur, Naser Shatri, 2.51%, Partia Ora e Veton Surroit 0.70%.
Por në raundin e dytë, LDK kishte fituar bindshëm pasi kishte marrë 63.5% të vota dhe kandidati i saj, Fadil Ferati (tashmë i ndjerë) ishte zgjedhur kryetar i Istogut, kurse PDK në raundin e dytë kishte marrë 36.55% të votave, shkruan Reporteri.net.
Fadil Ferati ishte kandidat për kryetar të Istogut edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2009, por nuk arriti të fitonte në raundin e pare, pasi kishte marrë 47.47% të votave. Naim Imeraj nga AAK-ja ishte renditur i dyti me 21.52% të votave, Idriz Blakaj nga PDK-ja i treti me 17.34%, Rifat Osmanaj nga LDD-ja i katërti me 12.06%, Gojart Lybniqi nga Demokracia e re e Kosovës 1% dhe Afrim Sadikaj nga PSD-ja me 0.61% të votave.
Në raundin e dytë, Fadil Ferati i LDK-së kishte fituar bindshëm me 70.65% të votave dhe ishte zgjedhur sërish kryetar i Istogut, duke mundur kandidatin e AAK-së Naim Imeraj i cili kishte marrë 29.35% të votave.
Por disa muaj pasi fitoi mandatin e dytë si kryetar i istogut, Fadil Ferati i LDK-së vdiq si pasojë e një sëmundje.
Kështu Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) organizoi zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të Istogut.
LDK për kandidat të saj kandidoi Haki Rugovën, i cili nuk arriti për pak të fitoi në raundin e pare, pasi mori 49.34% të votave të qytetarëve.
Në raundin e dytë, Haki Rugova fitoi bindshëm duke marrë 75.92% të votave të qytetarëve, duke mposhtur kundërkandidatin e tij nga PDK, Shasivar Haxhijaj që kishte marrë 24.08% të votave të qytetarëve.
Haki Rugova nga LDK më pas fitoi edhe zgjedhjet lokale të vitit 2013 dhe ato të 2017-tës.
Në zgjedhjet e 2013, Rugova kishte fituar zgjedhjet pa balotazh, pasi kishte marrë besimin e 50.95% të qytetarëve të Istogut, duke lënë parapa Donika Kadaj-Bujupin e AAK-së me 28.85%, Shasivar Haxhiajn e PDK-së me 15.50%, Florin Dreshaj nga Vetëvendosje me 2.55% dhe Teuta Hasanin nga AKR me 2.15%, dhe Teuta Hasanin nga AKR me 2.15%.
Katër vjet më vonë, në zgjedhjet lokale të 2017-të, Haki Rugova nuk kishte arritur të fitojë në raundin e pare, pasi kishte marrë 45.36% të votave, në vend të dytë ishte Gani Dreshaj nga AAK me 35.63%, në vendin e tretë Beqir Sadikaj nga PDK me 8.40%, në vendin e katërt Vetëvendosje me kandidatin e saj Agron Avdijaj që kishte marrë 8.13% dhe i fundit ishte Arif Elshani nga Inciativa e të Pavarurit të Istogut me 2.47%.
Megjithatë Rugova kishte arriti të bëhej sërish kryetar i Istogut pasi kishte mundur në balotazh kandidatin e AAK-së Gani Dreshaj, me një përqindje tejet të vogël.
Rugova kishte marrë 50.03% të votave, kurse Dreshaj 49.97% të votave. /Reporteri.net/