×
  • Lajme
  • Zgjedhjet Lokale 2021

    Shqiptarët bashkë në Mitrovicë të Veriut për ta thyer pushtetin e Listës Serbe – rezultatet ndër vite në 5 komunat veriore

    Reporteri
    14 Tetor 2021 | 11:52

    Lista Serbe, parti kjo e kontrolluar nga Serbia, qe disa vite ka pushtet absolut në komunat veriore.

    Një prej komunave që Lista Serbe fiton prej vitesh në raundin e pare është edhe Mitrovica e Veriut, ku për disa vjet ka udhëhequr Goran Rakiq.

    Në vitin 2020 kur Rakiq u largua për të marrë pozitë udhëheqëse në Qeverinë e Kosovës u shpallën zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune, ku fitoi Milan Radojeviq po nga Lista Serbe.

    Për ta sfiduar më fuqishëm Listën Serbe në Mitrovicën e Veriut në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, partitë shqiptare kanë vendosur që të garojnë së bashku. Lëvizja Vetëvendosje, PDK, LDK, AAK, Koalicioni VAKAT, AKR, shoqëria civile, komuniteti RAE të gjitha janë bashkuar që ta sfidojnë Listën Serbe në këtë komunë Partitë e bashkuara shqiptare në Mitrovicë të Veriut kanë aplikuar për certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me emrin ‘Iniciativa qytetare Mitrovica’.

    Më poshtë gjeni rezultatet ndër vite në 5 komunat veriore të lartcekura:

    Rezultatet në Mitrovicën e Veriut

    Zgjedhjet e nëntorit të vitit 2013 i kishte fituar kandidati i Listës Serbe, Kristimir Pantiq, por ai atë kohë kishte refuzuar të nënshkruajë deklaratën në fletën, ku sipas informatave, simbolet e Kosovës ishin fshehur me një letër ngjitëse, ishte interpretuar si demonstrim i refuzimit të njohjes së shtetit të Kosovës.

    Kështu Qeveria e Kosovës kishte shpallur të dështuar seancën inauguruese për kryetarin e Mitrovicës veriore. Si rrjedhojë, ishin shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme që ishin mbajtur në shkurt të 2014-tës.

    Goran Rakiq ishte kandidat nga Lista Serbe i cili kishte fituar mandatin e kryetarit që në raundin e pare pasi kishte fituar 52,84% te votave, duke mundur kundërkandidatin e tij,

    Oliver Ivanoviq (tashmë i ndjerë) që atë kohë kishte fituar 27.62% të votave.
    Rakiq garoi edhe në zgjedhjet e vitit 2017 ku fitoi mandatin e dytë pasi mori 67.5% të votave.

    Edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit 2019 i kishte fituar Rakiq me 90.4% te votave
    Pas një vitit Mitrovica e Veriut shkoj sërish në zgjedhje pasi Rakiq mori pozitë udhëheqëse në Qeverinë e Kosovës.

    Në zgjedhjet e mbajtura në nëntor të 2020, Milan Radojevic nga Lista Serbe u zgjodh kryetar i Mitrovicës së Veriut.

    Rezulatet në komunën e Zveçanit:

    Vučina Jankoviq mban detyrën e kryetarit të Komunës së Zveçanit nga viti 2013. Si kandidat i Listës Serbe është rizgjedhur në zgjedhjet lokale 2017.

    Në zgjedhjet e 2013-tës, Jankoviq kishte fituar 57.55% të votave, në zgjedhjet lokale të 2017-tës 70.59% të votave, kurse në zgjedhjet e 2019 kishte fituar 94.08% të votave.

    Rezultatet në komunën e Zubin Potokut

    Edhe këtë komunë nga viti 2013 e udhëheq Lista Serbe.

    Në zgjedhjet lokale të vitit 2013, kryetar ishte zgedhur Stevan Vuloviq që kishte fituar 78,74% të votave. Vuloviq fitoi edhe mandatin e dytë në zgjedhjet e 2017-tës, ku kishte fituar 79.85% të votave.

    Në zgjedhjet e 2019-të, Lista Serbe fitoi me kandidatin Srdjan Vuloviq që kishte fituar 94,6% të votave.

    Rezultatet në komunën e Shtërpcës

    Qe tre mandate me radhë kjo komunë drejtohet nga Bratislav Nikoliq, së pari si kandidat i SLS-së dhe më pas i Listës Serbe.

    Në zgjedhjet lokale të 2009-tës, Nikoliq ishte zgjedhur kryetar në raundin e dytë me 64,50% të votave si kandidat i SLS-së.

    Edhe më 2013 Nikoliq sërish si kanidat i SLS-së kishte arritur të behet kryetar pasi në balotazh kishte fituar 56.25% të votave duke mposhtur kunderkandidatin nga Lista Serbe Ivan Redziq që kishte marrë 43.75% te votave Nikoliq kishte fituar edhe mandatin e tretë si kryetar i Shtërpcës, por në zgjedhjet lokale të 2017-tës kishte kandidauar nën petkun e Listës Serbe ku kishte fituar në raundin e parë me 73.58% të votave.

    Rezultatet në komunën e Leposaviqit

    Edhe kjo komunë nga viti 2013 udhëhiqet nga Lista Serbe.
    Në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kishte fituar kandidati Dragan Jablanoviq me 51,48% të otave.

    Kurse në zgjedhjet e 2017-tës, Lista Serbe kishte garuar me kandidatin Zoran Todiq që kishte fituar mandatin e pare si kryetar pasi kishte arritur të fitonte 63.20% të votave.

    Todiq fitoi edhe në zgjedhjet e vitit 2019 me 96,7% të votave duke marrë mandatin e dytë të kryetarit. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!