Komuna e Prishtinës edhe këtë të mërkure ka vazhduar me gjobitje ndaj partive që thyejnë masat anti-COVID. Partia Demokratike e Kosovës është subjekti i radhës të cilit iu shqiptua dënimi për shkak të tubimit në lagjen e “Kodës së Trimave”.
Adonis Tahiri, Drejtori i Inspeksionit në këtë komunë, ka treguar se vlera e dënimit të shqiptuar ndaj PDK-së është 2000 euro.
Por, kjo nuk është hera e parë që PDK dënohet nga Komuna e Prishtinës për mosrespektimin e masave për parandalimin e shpërndarjes së korona virusit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në fakt, PDK së bashku me Lidhjen Demokratike të Kosovës i prijnë listës me nga tri dënime të shqiptuara nga Inspeksioni i Prishtinës.
E gjithsejtë Komuna e Prishtinës ka ndarë 9 dënime ndaj partive me arsyetimin se kanë shkelur vendimet qeveritare dhe ligjet në fuqi që ndalojnë grumbullimet e mëdha.
Krahas PDK-së e LDK-së, listës së të partive të gjobitura nga Inspeksioni janë edhe VV, AAK e NISMA.
Të tri këto parti kanë nga një dënim në llogarinë e tyre, të cilat nuk dihet nëse i kanë paguar deri më tani.
Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë ndalon grumbullimet në masë dhe për këdo që shkel këto rregulla parashihen dënime, shkruan Reporteri.net