KQZ-ja e bindur se mund t’i organizojë pa OSBE-në zgjedhjet në komunat veriore

Zgjedhjet e 14 shkurtit janë të parat që organizohen pa ndihmën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kësaj radhe nuk e ka parë të nevojshme që ta ftojë misionin e OSBE-së, për ta kryer rolin e zakonshëm këshillues për trupat zgjedhore.

Zyrtarë të KQZ-së thonë se të vetëm mund të organizojnë zgjedhjet edhe në komunat veriore me shumicë serbe.

“Besojmë shumë që trupat tanë menaxhues të zgjedhjeve, pra komisioni komunal i zgjedhjeve që emërohet nga ana e KQZ-së, por gjithashtu edhe këshillat e vendvotimit që gjithashtu emërohen nga KQZ-ja, do të arrijnë të përmbushin detyrimet e tyre kushtetuese dhe ligjore për organizimin e procesit zgjedhor në këto komuna”, ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

Ndërsa koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” (DNV), i cili merret me vëzhgimin e zgjedhjeve, thotë se Kosova është e gatshme të garantojë proces të lirë e të drejtë zgjedhor edhe pa misionet e huaja.

“Mungesa e një misioni ndërkombëtar në vëzhgimin e këtij procesi mendoj që më tepër është një vlerë që do t’ia jepte në aspektin ndërkombëtar të zhvillimit të procesit, sesa në ngritje të tjera. Për këtë arsye si mision vendor ne jemi këtu për të parë këtë proces dhe për të raportuar për rregullsitë e procesit”, ka pohuar Ismet Kryeziu nga koalicioni “Demokracia në Veprim”.

16 vëzhgues të DNV-së do të monitorojnë takimet e partive politike gjatë fushatës. Kurse, procesi i votimit do të mbikëqyret nga 600 vëzhgues të këtij koalicioni.