Krasniqi: Kushtetuesja mund ta dërgojë në Prokurori rastin nëse nuk zbatohet aktgjykimi i saj

Gjykata Kushtetuese mund të nxjerrë një aktvendim në rast se aktgjykimi i saj për moscertifikim të kandidatëve të cilët janë të dënuar në tre vjetët e fundit nuk respektohet. Madje sipas Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese rasti mund të shkojë edhe në Prokurorinë e Shtetit.


Albert Krasniqi menaxher i programeve në “Demokraci Plus”, tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të obligueshme për t’u zbatuar nga individ, institucione e zyrtarë shtetërorë.

Ai ka thënë se kishte tendenca në mbledhjen e KQZ-së që të mos respektohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, përmes të cilit i mohohet e drejta kandidimit për deputetë çdo kujt që në tre vjetët e fundit është i dënuar për vepra penale.

“Në rast se ndodh që të mos respektohet ky aktgjykim me Rregulloren e punës së Gjykatës Kushtetuese parashihet që ajo të bëjë monitorimin e zbatimit dhe në rast që sheh se s’po zbatohet, atëherë nxjerr një aktvendim përmes të cilit bëhet më dije që nuk është zbatuar vendimi dhe atë e publikon edhe në gazetën zyrtare të Republikës së Kosovës, po ashtu informohet edhe Prokurori i Shtetit… për moszbatimin e vendimit për shkak se kjo konsiderohet edhe si një vepër penale dhe aty mund të merren edhe masa të tjera nga prokuroria”, ka thënë Krasniqi.

Ai vlerëson se mosrespektimi i aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, është mosrespektim i Kushtetutës dhe nëse ndodh një gjë e tillë, sipas tij, rrezikojmë të zhytemi në anarki.

“Mosrespektimi i këtyre aktgjykimeve është mosrespektim i Kushtetutës dhe zbatimi i Kushtetutës është një obligim për të gjithë personat për të gjitha institucionet, zyrtarët shtetërorë dhe kësaj nuk mund t’i iket. Në të kundërtën rrezikojmë të zhytemi në anarki, ku secili zbaton vendime të cilat i pëlqejnë dhe jo ato të cilat nuk i pëlqejnë. Moszbatimi i tyre do t’i çojë në pasoja të gjithë ata persona, të cilët nuk i binden urdhrit të gjykatës”, ka thënë Krasniqi.

KQZ-ja në mbledhjen e saj ku në rend dite ka qenë certifikimi i listës së kandidatëve për deputetë, në një mbledhje të tensionuar s’ka certifikuar listat e Vetëvendosjes, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, pasi aty ishin të përfshirë përsonat që kanë dënime në tre vjetët e fundit.

Pas këtij vendimi, partitë kanë paraqitur ankesat në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili të martën të dalë me një vendim.

Por, Krasniqi, pret që PZAP-i të marrë vendim të pjesshme për certifikim të këtyre listave, duke certifikuar ata kandidatë që s’kanë probleme me ligjin.

“Unë po pres që vendimi i PZAP-it të aprovojë pjesërisht kërkesat e ankimuesëve që do të thotë t’u lejojë certifikimin, t’u mundësojë kandidatëve, të cilët s’janë të dënuar për vepra penale në tre vjetët e fundit të përfshirë në listë dhe vetëm ata kandidatë të cilët kanë vepra të mos mund të certifikohen”, ka thënë Krasniqi.

Vendimi i KQZ-së, për moscertifikim të kandidatëve të dënuar në tre vjetët e fundit është kundërshtuar nga subjektet politike. Ndër kandidatë që s’është certifikuar është edhe kreu i Vetëvendosjes,dhe kandidati për kryeministër nga kjo parti, Albin Kurti.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës në një përgjigje ndaj kërkesës së KGJZ-së, ka konstatuar se 47 kandidatë për deputetë kanë dënime në tre vjetët e fundit.