×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Zgjedhjet e 14 shkurtit – këto janë sloganet e partive politike

    Reporteri
    24 Janar 2021 | 23:09

    Saktësisht edhe 21 ditë kanë mbetur deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.


    Edhe pse fushata elektorale zyrtarisht do të nisë më 3 shkurt dhe do të përfundojë më 12 shkurt, partitë politike ka kohë që e kanë nisur atë duke shkelur hapur rregullat anti-Covid, për çka në anën tjetër qytetarët janë dënuar dhe vazhdojnë të dënohen çdo ditë.

    Ndërsa po mbajnë tubime në restorante, oda, dhe po u shkojnë derë më derë qytetarëve pa qarë kokën për mundësinë e infektimit me Covid, shumica e partive kanë zbuluar edhe sloganet me të cilat do të garojnë në zgjedhjet e reja.

    VV: “Krejt dhe Drejt”

    “Krejt dhe Drejt” është slogani që prezantoi ditë më parë Albin Kurti, ndërsa shkruajti në Facebook se “Referendumi që do ta kthejë Kosovën kah e mbara, nuk mund të ndalet!”, pa dhënë një shpjegim pse pikërisht ky slogan.

    Por kandidatja për presidente nga Vetëvendosje, Vjosa Osmani, e cila do të garojë për deputete nën petkun e VV-së dha sqarime pse një slogan i tillë.

    Fjalën “Krejt” e lidhi me “shumicën”, kurse “drejt” me fitoren.

    “Krejt, sepse fryma mobilizuese është me shumicën, sepse ata e bëjnë dallimin!
    Krejt, sepse vetëm shumica mund t’i bëjë ndryshimet!
    Krejt, sepse sa herë që jemi bërë bashkë, kemi dalë fitues!
    Drejt, sepse vetëm në këtë mënyrë e krijojmë diferencën!
    Drejt, sepse vetëm me drejtësi garantohet përfaqësimi i barabartë qytetar!
    Drejt, sepse i drejti gjithmonë del fitues!”, ka shkruar ajo.

    “Rimëkëmbje”

    Partia Demokratike e Kosovës që në këto zgjedhje ka kandidat për kryeministër Enver Hoxhajn, në mungesë të Kadri Veselit që gjendet në Hagë, ka vendosur të garojë në zgjedhjet e 14 shkurtit me sloganin “Rimëkëmbje”.

    Si arsye pse kanë vendosur të garojnë me këtë slogan kanë deklaruar se duan ta rimëkëmbin Kosovën në të gjitha fushat.

    “Shteti.Shtet.”

    Lidhja Demokratike e Kosovës që edhe në këto zgjedhje kandidon me Avdullah Hotin për kryeministër, ka përzgjedhur një slogan që lidhet me emrin e partisë.

    “Shteti.Shtet.” është slogani që Hoti ka prezantuar sot, çka ka shkaktuar jo pak “zhurmë” në opinion .

    “Ramushi president 2021”

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka slogan krejt ndryshe që nuk lidhet me qeverinë, por me presidencën.

    “Ramushi president” është slogani i kësaj partie, pasi AAK në këtoi zgjedhje nuk ka kandidat për kryeministër.

    Pretendimi i AAK-së është që lideri i tyre Ramush Haradinaj të bëhet president i vendit.

    “Mbrojtja e vlerave kombëtare”

    Partia e Fatmir Limajt, Nisma Socialdemokrate e cila në këto zgjedhje ka synim kalimin e pragut parazgjedhor si slogan ka “mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave kombëtare”.

    Në çdo takim që po mban me struktura kjo parti thotë se beteja e tyre është mbrojtja e vlerave kombëtare. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!