×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Si po kërcënohen serbët në Kosovë ta votojnë Listën Serbe

    Reporteri
    03 Tetor 2019 | 11:20

    Serbët e veriut, të punësuar nëpër institucione shtetërore, po urdhërohen, madje edhe kërcënohen me vende pune nga drejtuesit e këtyre institucioneve, që të votojnë pesë kandidatët e parë të Listës serbe për deputetë në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës, ndërsa serbët e jugut, urdhërohen të votojnë pesë kandidatët e dytë, përkatësisht nga numri 6-10.


    Një qytetare serbe (emri i njohur për redaksinë) që punon në njërën prej shkollave në veri të Mitrovicës, ka folur në kushte anonimiteti për KosovaPress, duke thënë se të mërkurën drejtori i saj e ka urdhëruar që më 6 tetor, në ditën e zgjedhjeve, të votojë Listën serbe dhe kandidatët për deputetë prej numrit 1 deri në 5.

    “Sot njëra prej kolegeve më tha se duhet të lajmërohem tek drejtori sepse paska diçka të rëndësishme me më thënë. Pasi u lajmërova në zyrën e tij, ku ishim veç ne të dy, më urdhëroi që në zgjedhjet e së dielës, së bashku me familjarët e mi të votojë Listën serbe dhe pesë kandidatët e parë në listë, për deputetë. Ndryshe, rrezikoj vendin e punës”, ka thënë kjo qytetare.

    Ajo shtoi se më vonë ka kuptuar që pothuajse të njëjtën gjë drejtori u kishte thënë edhe kolegëve të tjerë, secilit veç e veç.

    Sipas kësaj qytetare, e njëjta gjë po ndodhë edhe me qytetarët serbë të jugut të Kosovës, të cilët detyrohen të votojnë për Listën serbe dhe kandidatët për deputetë prej numrit 6 deri në 10.

    Këtë e ka mësuar, siç u shpreh ajo, nga një kolege e cila punon në Graçanicë, ndërsa një vendim i tillë është marrë pas konsultimeve të fundit të disa anëtarëve të Listës serbe me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

    KosovaPress-i ka arritur të sigurojë letrën e cila në formë të udhëzuesit po ju shpërndahet qytetarëve të katër komunave veriore dhe që konfirmon se kë duhet votuar ata.

    Ndryshe, pesë emrat e para për deputetë në listën e kësaj partie janë, Igor Simiq, Zoran Mojsiloviq, Miljana Nikoliq, Sllavko Simiq, dhe Ivan Todosijeviq.

    Ky i fundit ishte shkarkuar nga kryeministri Haradinaj, për shkak se masakrën e Reçakut e cilësoi si një “trillim të shqiptarëve”, dhe shqiptarët që luftuan për çlirimin e Kosovës i quajti “terroristë”.

    Ndërsa, në grupin e dytë, për të cilët qytetarët serbë jo të veriut, por të pjesëve tjera të Kosovës duhet të votojnë, janë Jasmina Dediq, Milosh Peroviq, Ljubinko Karaxhiq, Verica Çeraniq dhe Branisllav Nikoliq.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!