Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, sot ka pritur një delegacion nga Bashkimi Evropian të kryesuar nga Emanuele Giaufret, Zëvendësdrejtorin Menaxhues të EEAS-it për Evropën Perëndimore.
Sipas njoftimit të PDK-së, në takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike dhe ekonomike në vend, si dhe për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Hamza mirëpriti vëmendjen e rikthyer të BE-së ndaj Kosovës dhe rajonit, si dhe vendimin për heqjen e masave, duke e vlerësuar këtë si një hap pozitiv për forcimin e partneritetit dhe perspektivës evropiane të vendit.
Ai theksoi se një Kosovë stabile dhe një rajon stabil janë në interes të përbashkët të të gjithë popujve të Ballkanit Perëndimor dhe të vetë Bashkimit Evropian, thekson njoftimi.
Po ashtu, sipas PDK-së, Hamza rikonfirmoi përkushtimin e PDK-së për bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të BE-së për Kosovën, veçanërisht në përballimin e sfidave ekonomike dhe avancimin e reformave.
Në takim u ritheksua se aspirata strategjike e Kosovës mbetet integrimi në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimi në NATO, si një orientim i qartë drejt zhvillimit, stabilitetit dhe integrimit të plotë euroatlantik.
Giaufret po qëndron në Kosovë, ku ka pasur takime me zyrtarë të shtetit.
Ai ka shkruar për këtë vizitë duke e cilësuar ditën e parë të takimeve si të suksesshme dhe produktive.
Ai bëri të ditur se gjatë qëndrimit në Kosovë është takuar me zyrtarë institucionalë, përfshirë Albulena Haxhiu, si dhe me kryetarë komunash nga veriu dhe partnerë ndërkombëtarë, ndër ta edhe EULEX.
Sipas tij, këto takime kanë shërbyer për të diskutuar zhvillimet aktuale dhe bashkëpunimin e mëtejshëm, ndërsa ka theksuar se është inkurajuar nga vendosmëria e përbashkët për të çuar përpara agjendën evropiane të Kosovës.
Had a good 1st day of mtgs in Kosovo with @albulenahaxhiu_, mayors in the north, @JetonZulfaj & international partners including @EULEXKosovo.
Encouraged by shared determination to keep 🇽🇰 advancing on its European path. pic.twitter.com/L4oHzyVSDM— Emanuele Giaufret (@EGiaufretEU) March 27, 2026