Vendimi i Gjykatës Speciale të Hagës për dënimin e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka nxitur reagime dhe pikëpyetje të forta mbi drejtësinë e këtij procesi.
Në një intervistë për Klan News, ish-hetuesja e Tribunalit të Hagës në procesin ndaj Sllobodan Millosheviçit, Nevenka Tromp ngriti dyshime të mëdha mbi mënyrën se si u zhvillua gjykimi.
Tromp thekson se krahasimi i këtij procesi me gjyqet e mëparshme për ish-Jugosllavinë tregon një standard të dyfishtë. Sipas saj, ndërsa në të kaluarën komandantët e UÇK-së u shpallën të pafajshëm ose u dënuan vetëm për raste të izoluara, Gjykata Speciale dha dënime ekstremisht të rënda pa një bazë të qartë ligjore.
“Si fillim, kam qenë e surprizuar se sa pak interes ka në Holandë dhe në shtypin evropian për të ndjekur në mënyrë kritike këtë lloj drejtësie. Nuk është e mundur që për krime të ngjashme dhe pozicione të ngjashme komanduese, dy gjykata në të njëjtin qytet të japin verdikte kaq të ndryshme. Ky element i shtetit të së drejtës është shumë jo i qartë. Një krahasim i thjeshtë midis dy gjykatave ndërkombëtare tregon se diçka shkoi vërtet keq”, tha Tromp.
Një tjetër pikë kritike e procesit ishte anshmëria e gjykatës gjatë hetimit. Gjykata pranoi pothuajse çdo kërkesë të prokurorisë, ndërsa refuzoi kërkesat e mbrojtjes. Tromp tha se Hashim Thaçi apo Jakup Krasniqi sakrifikuan dekada për lirinë e vendit të tyre ndërsa sot përballen me dënime që rrezikojnë t’u marrin jetën në qeli.
“Gjyqi i Hashim Thaçit nuk ndoqi parametrat e asaj që ne e quajmë proces i drejtë. Ka mjaftueshëm tregues për të vendosur një pikëpyetje të madhe mbi drejtësinë e këtij procesi. Sidomos Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi morën dënime kaq të rënda, sa në fakt do të thotë se do të qëndrojnë në burg derisa të ndërrojnë jetë. Këto janë mesazhe shumë të vështira morale dhe etike. Çështja e vetme tani është se sa ka përfituar mbrojtja nga kjo vuajtje dhe dënim deri në fund të jetës së tyre”, tha Tromp.
Për më tepër, ish-hetuesja nënvizoi se gjatë hetimeve ndaj Sllobodan Millosheviçit, Beogradi dorëzoi me mijëra dokumente, por në asnjë prej tyre nuk pati prova që implikonin udhëheqjen e UÇK-së për krime kundër njerëzimit.
“Nuk bën sens që një drejtues i lartë apo kryetar shteti të merret me krime individuale në terren, askush nuk do ta merrte një risk të tillë. Pse u pritën më shumë se 20 vite për të paraqitur prova të tilla, kur ne nuk i kishim ato dokumente gjatë hetimeve tona? Kjo gjykatë që prej fillimit është themeluar mbi baza tërësisht të gabuara dhe monoetnike, duke adresuar vetëm njërën palë në luftën e Kosovës”, tha Tromp.
Sipas ekspertes Tromp, rruga e vetme për korrigjimin e këtyre shkeljeve mbetet faza e Apelit. Ajo këshillon se mbrojtja e të akuzuarve duhet t’i përqendrojë të gjitha forcat në përgatitjen e argumenteve mbi cenimin e të drejtave të njeriut, procedurat e anashkaluara ligjore dhe shkeljen e prezumimit të pafajësisë gjatë gjithë procesit.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë arrestuar në nëntor 2020 duke qëndruar në paraburgim në Hagë. Pas 6 vitesh, Gjykata Speciale i dënoi ata për krime lufte dhe i shpalli të pafajshëm për krimet kundër njerëzimit. Sipas gjykatës së Hagës, krimet nga 4 ish-drejtuesit kryesorë të UÇK-së, janë kryer përgjatë viteve 1998-1999 në luftën kundër ish-Jugosllavisë.

Endrit Thaçi, Altin Krasniqi dhe Klestor Veseli, djemtë e ish-krerëve të UÇK-së, kanë vizituar sot familjen e heroit Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij në Banjskë.
Pas vizitës, djemtë e çlirimtarëve janë përcjellë me fjalë emocionuese nga një familjar i Afrim Bunjakut. Ai u tha se, kur i sheh ata, i duket sikur po sheh vetë ish-krerët e UÇK-së.
“Kur po ju shohim juve, po na doket sikur po i shohim ata. Na vjen me kajtë, për Kadrinë, për baçin Jakupin, për krejt. Për Hashimin na jena krenarë, për kontributin që ata e kanë dhënë dhe po e japin hala. Na keni nderu”, u shpreh ai.

Një protestë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është paralajmëruar të mbahet më 26 shtator në qytetin Mulhouse të Francës.
Sipas njoftimit protesta do të zhvillohet në Place du Général de Gaulle, duke filluar nga ora 17:00.
Protesta është organizuar në mbështetje të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, të cilët u dënuan me 81 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në thirrjen për protestë thuhet se qëllimi është kërkesa për “drejtësi dhe respektim të të drejtave të tyre”.
Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në tubim, duke e cilësuar atë si një protestë paqësore.
“Një zë, një drejtësi, një ideal”, thuhet në njoftim.


Një protestë paqësore është paralajmëruar të mbahet më 4 tetor në Bruksel, me thirrjen “Jo në emrin tim!”.
Sipas posterit të publikuar nga organizatorët, protesta do të zhvillohet në zonën evropiane të Brukselit, në Jean Reyplein, nga ora 14:00 deri në 16:00.
Në njoftim bëhet e ditur se tubimi organizohet me moton “Lufta për liri nuk është krim”, ndërsa pjesëmarrësit ftohen të bashkohen në protestën që synon të përcjellë një mesazh për paqen dhe kundërshtimin e dënimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Organizatorët deklarojnë gjithashtu se protesta është e autorizuar zyrtarisht dhe se do të shoqërohet nga Policia e Brukselit.

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka thënë se Qeveria e Kosovës është dashur të reagojë publikisht lidhur me procesin gjyqësor në Hagë, ndërsa ka deklaruar se nuk ka frikë nga mundësia e një aktakuze të re ose arrestimi.
Lushtaku në një prononcim për “Zërin” tha se Qeveria e Kosovës, pavarësisht bindjeve politike, është dashur të dalë me një deklaratë për këtë proces.
“Qeveria është dashur së paku të dalë me një deklaratë për këtë proces. Është Qeveri e Kosovës, pavarësisht bindjeve tona politike”, tha Lushtaku për “Zërin”.
I pyetur nëse ka frikë se mund të ketë aktakuzë të re ose të arrestohet, Lushtaku tha se nuk ka arsye për frikë.
“Jo, tamam puna me ia nis mu frikësu, absolutisht jo”, u shpreh ai.
Lushtaku tha se vazhdon të mos ketë besim në Dhomat e Specializuara të Kosovës, kur u pyet nëse pret që Apeli të rrëzojë shkallen e parë që i dënoi me 81 vjet burg ish-krerët e UÇK-së.
“Unë nuk besoj dhe nuk i kam besuar dhe vazhdoj të mos i besoj kësaj gjykate”, tha Lushtaku në një prononcim pas protestës të së mërkurës në Prishtinë.

Këngëtari i njohur shqiptar, Yll Limani, është ngjitur sonte në skenën e vendosur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në ditën e tetë të protestave kundër Gjykatës Speciale në Hagë dhe vendimit për dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Para protestuesve, Limani mbajti një fjalim ku foli për rëndësinë e ruajtjes së kujtesës dhe historisë së Kosovës, duke shprehur shqetësimin se historia e luftës mund të rrëfehet pa zërin e atyre që e kanë përjetuar atë.
“Që historia jonë me u shkru prej dikujt tjetër, e na me nejtë anash dhe me heshtë, mbrapa katër emrave që sot janë në Hagë është një gjeneratë, është një popull që e ka ditë shumë mirë çka domethënë me jetu pa lirinë”, tha Limani.
Ai theksoi se largësia e ish-krerëve të UÇK-së nga Kosova nuk përbën shqetësimin e vetëm, por edhe mënyra se si mund të përcillet historia e vendit te brezat e ardhshëm.
“E sot, kur i shohim ata larg Kosovës, nuk është na dhemb veç largësia. Na dhemb ideja që historia jonë mundet me u tregu pa neve. Na dhemb ideja që një ditë fëmijët tanë mujnë me mësu luftën tonë prej aktgjykimeve, e jo prej asaj që ky popull e ka jetu në lëkurën e vet”, u shpreh këngëtari.
Gjatë qëndrimit mes protestuesve, Limani ishte i veshur me një bluzë të zezë, në të cilën kishte të stampuar stemën e UÇK-së.
Protestat “Jo në emrin tim” po mbahen çdo mbrëmje në sheshin “Skënderbeu”, pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Po vazhdon sot dita e 8 e protestës në Prishtinë kundër verdiktit të Gjykatës Speciale.
Ka nisur grumbullimi i qytetarëve në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në vazhdën e protestave kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Qytetarë të shumtë janë mbledhur në shesh, ndërsa protesta po zhvillohet për të dytën javë radhazi. Në ditët e fundit, tubimet janë mbajtur çdo mbrëmje në kryeqytet.
Protesta është thirrur me moton “Jo në emrin tim”, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e tubimeve kundër aktgjykimit të shkallës së parë në Hagë.
Përveç në Kosovë, protesta në kundërshtim të vendimit të Dhomave të Specializuara janë mbajtur ditëve të kaluara edhe në New York, Kanada, Zvicër, Gjermani e Austri.
Specialja i shpalli fajtorë për krime lufte dhe i dënoi me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, ndërsa Kadri Veselin me 18 dhe Rexhep Selimin me 13.

Klestor Veseli është emri më i kerkuar në Google, nga përdoruesit në Kosovë, përgjatë ditëve të fundit.
Sipas makinës se kërkimit online, emri i djalit të Kadri Veselit u kërkua qindra herë në internet, e kjo vjen për shkak të vendimit të gjykatës në Hagë.
Por, përveç tij, në Google gjatë këtyre ditëve, përdoruesit kanë kërkuar edhe për ish kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, e po ashtu për djalin e ish-presidentit, Hashim Thaçi, Endrit Thaçi.
Trendi i kërkimit u regjistrua nga dita kur u shpall aktgjykimi në Hagë, ku u dënuan katër-ish krerët e UÇK-së, një vendim që ka ngjallur polemika e protesta tash e disa ditë në Prishtinë.
Çfarë thonë kërkimet në Google?
Bazuar në të dhënat, Klestor Veseli është emri më i kërkuar në Google në Kosovë gjatë javës së fundit, sipas të dhënave të Google Trends.
Të dhënat për periudhën e 17 deri më 23 shtator tregojnë se kërkimi rreth Klestor Veselit ka shënuar një rritje të ndjeshme të interesimit në Google.

Sipas Google Trends, interesi për këtë kërkim është rritur me mbi 5,000 për qind krahasuar me javën paraprake, duke u klasifikuar si “Breakout” – term që Google Trends e përdor për kërkime që kanë pësuar rritje shumë të madhe të interesimit.
Në listën e kërkimeve kryesore në Kosovë, figuruan edhe kërkime ‘similars’ apo të ngjashme sikurse “Klestor Veseli age” [në anglisht] dhe “Klestor Veseli mosha” [në shqip].
Përdoruesit po ashtu kanë kërkuar edhe për ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, derisa në mesin e kërkimeve të tjera të listuara janë “Endrit Thaqi” dhe “Endrit Thaçi”.

Grafiku i Google Trends tregon se interesi për Klestor Veselin ka pasur disa kulme gjatë javës, me pikën më të lartë të regjistruar më 18 shtator, kur interesi arriti vlerën maksimale prej 100 në indeksin e Google Trends.
Google Trends nuk tregon numrin absolut të kërkimeve, por paraqet interesin e kërkimit në mënyrë relative, ku vlera 100 përfaqëson pikën më të lartë të interesit për termin gjatë periudhës së përzgjedhur.

Në muret e Fakultetit Juridik në Prishtinë janë shfaqur grafite me thirrje për pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar për sonte në orën 21:00.
“UÇK. Hajde edhe ti në shesh”, shkruhet në grafitet e vendosura në hapësirën pranë Fakultetit Juridik.
Thirrja u drejtohet qytetarëve për t’iu bashkuar protestës që pritet të mbahet sonte në Prishtinë, kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.


Familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit i janë përgjigjur ftesës së ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për takim pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Në një letër të përbashkët, familjet kanë shprehur mirënjohje për qytetarët e Kosovës për mbështetjen dhe solidaritetin, ndërsa kanë kërkuar përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar.
“Ne, familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, bëjmë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar në këto momente”, thuhet në letër.
Familjet kanë deklaruar se presin “sjellje të përgjegjshme shtetërore nga të zgjedhurit e popullit, në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjit, në raport me Dhomat e Specializuara”.
Sa i përket ftesës së Haxhiut, familjet kanë thënë se e vlerësojnë atë, por kanë kërkuar që takimi të zhvillohet pas një vendimi të Kuvendit.
“E vlerësojmë ftesën e Albulena Haxhiut, por, për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm lidhur me ndikimin dhe ndërhyrjet familjare në vendimmarrjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, presim që të takohemi pas vendimit të Kuvendit”, thuhet në letrën e familjeve.
Haxhiu kishte ftuar në takim familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, me qëllim që, sipas Presidencës, të diskutonin “rrugën dhe strategjinë përpara që duhet ta ndjekim si shtet e si shoqëri” pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë ka reaguar pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke theksuar se vendimi nuk e ndryshon kontekstin historik të luftës në Kosovë.
Në deklaratën e saj, MPJ-ja kroate ka vlerësuar se aktgjykimi nuk ndryshon faktin se Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda të kryera nga regjimi i Slobodan Millosheviqit.
“Përgjegjësia individuale e një individi nuk mund të jetë bazë për relativizimin e këtyre krimeve, e as për vënien në pikëpyetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Ministria kroate ka theksuar gjithashtu se krimet dhe represioni i regjimit të Millosheviqit ndaj popullsisë së Kosovës nuk duhet të relativizohen apo të vihen në pikëpyetje.
Hrvatska prima na znanje prvostupanjsku presudu Specijaliziranih vijeća Kosova. Riječ je o nepravomoćnoj presudi te ne želimo prejudicirati konačni ishod postupka.
Istodobno, ova presuda ne mijenja povijesni kontekst rata na Kosovu niti činjenicu da su Kosovo i njegovo stanovništvo bili žrtve represije i teških zločina Miloševićeva režima.
Individualna odgovornost pojedinca ne može biti osnova za relativiziranje tih zločina niti za dovođenje u pitanje slobode i neovisnosti Kosova.
— MFA Croatia (MVEP) (@MFA_Croatia) September 16, 2026
Ndryshe, Dhomat e Specializuara në Hagë kanë shpallur aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Thaçi dhe Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim.
Në total, katër ish-krerët e UÇK-së janë dënuar me 81 vjet burgim.