×
  • Lajme
  • Raporto
  • Fokus 5
    INSTANT

    “A i keni fikur radarët?”, ish-shefja e SHISH s’iu përgjigjet gazetarëve pasi del nga gjykata

    Reporteri
    24 Shtator 2026 | 15:10

    Ish-drejtoresha e SHISH-it Vlora Hyseni ka dalë nga ambientet e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.

    Hyseni ishte paraqitur në GJKKO për seancën ku u shqyrtua masa e sigurisë ndaj saj. Pas përfundimit të seancës, ajo është larguar nga gjykata.

    Gazetarët, që e pritën të dilte nga gjykata, e pyetën Hysenin: “A i keni fikur radarët?”.

    Ata i referoheshin një bisede mes saj dhe Ergys Agasit në kohën kur ai ishte në arrati ku Hyseni i thoshte atij se për të “krejt radarët e shtetit i fik për ty”.

    Vendimi vjen në kuadër të hetimeve të SPAK mbi dosjen e Ergys Agasit, ndërsa vijimi i procedurave pritet të përcaktojë edhe hapat e mëtejshëm të çështjes.

    Vlora Hyseni del nga GJKKO, iu komunikua masa e sigurisë “arrest në shtëpi”

    Reporteri
    24 Shtator 2026 | 15:08

    Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ka dalë nga ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku iu komunikua masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.

    Pas përfundimit të seancës, Hyseni u largua nga godina e gjykatës pa bërë asnjë deklaratë për mediat.

    Ajo është nën hetim në kuadër të procedimit të SPAK, ku dyshohet për veprat penale të “Përkrahjes së autorit të krimit” dhe “Zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete”.

    Çështja lidhet me hetimet që kanë nisur nga dosja ndaj biznesmenit Ergys Agasi, ndërsa ndaj Hysenit më herët ishte vendosur edhe pezullimi nga detyra.

    Deklarata e Vlora Hysenit për takim me agjentë serbë drejtuar gazetares, reagon AGSH: Shantazh, SPAK ta shikojë me seriozitet

    Reporteri
    24 Shtator 2026 | 14:10

    Ish shefja e SHISH, Vlora Hyseni është përfshirë sot në një polemikë me gazetaren Klodiana Lala në hyrjen e ambienteve të GJKKO para se të njihej me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

    E pyetur nga gazetarja Klodiana Lala për lidhjet e saj me Ergys Agasin ajo iu përgjigj: “Klodi si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner?”

    Më pas ish shefja e SHISH nuk iu përgjigj gazetarëve pse e kishte shkarkuar Albin Kurti dhe nëse kishte ndonjë koment për këtë, por u fut në ambientet e GJKKO.
    Menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar në një lidhje live gazetarja Klodjana Lala që e quajti sulm vulgar, shantazh:

    “Ka zgjedhur të kundërsulmojë me gjuhë vulgare ndaj gazetarëve duke i shantazhuar ata për takime në hotele të ndryshme”, tha Klodiana Lala në një lidhje live

    “Se për cilat takime i referohet Vlora Hyseni, mbetet për t’u sqaruar kur të dalë, por ishte një akuzë e fortë e lëshuar dhe një shantazh ndaj gazetarëve” u shpreh gazetarja Lala.

    Ndërkohë për këtë incident në ambientet e GJKKO ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë. Në reagimin publik, AGSH dënon deklaratat e Hysenit dhe i kërkon asaj që t’i tërheqë menjëherë, ndërsa i bën thirrje SPAK që ta trajtojë me seriozitet episodin.

    “Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon me termat më të ashpër shantazhin dhe sulmet e të dyshuarës së SPAK, ish-shefes së SHISH Vlora Hyseni ndaj gazetares Klodiana Lala”, thuhet në reagim.

    Sipas AGSH-së, personat nën hetim duhet të japin llogari përpara drejtësisë, ndërsa presioni apo shantazhi ndaj gazetarëve nuk mund të tolerohet.

    “Çdo i dyshuar i drejtësisë duhet të japë llogari vetëm përpara drejtësisë, ndërsa shantazhet ndaj gazetarëve nuk mund të tolerohen”, vijon deklarata.

    Asociacioni i kërkon gjithashtu Hysenit të tërheqë deklaratat dhe nxit Strukturën e Posaçme të shqyrtojë rastin.

    “AGSH i bën thirrje zonjës Hyseni që të tërheqë menjëherë deklaratat e saj, ndërsa e nxisim Strukturën e Posaçme që të shikojë me seriozitet këtë episod shantazhi nga ana e saj ndaj një gazetareje”, përfundon reagimi.

    Hyseni e akuzoi për takime me agjentët serbë, reagon Lala: Kundërsulm me gjuhë vulgare, asnjë përgjigje për materialet e klasifikuara

    Reporteri
    24 Shtator 2026 | 13:45

    Gazetarja, Klodiana Lala, ka reaguar për sulmin verbal të bërë ndaj saj nga ish-shefja e Shërbimit Sekret Informativ, Vlora Hyseni, e cila pasi u pyet nëse ka shpërndarë apo jo sekrete shtetërore siç edhe dyshon Prokuroria e Posaçme, akuzoi reporteren për takime me agjentë serbë.

    Gazetarja Lala e quan deklaratën e Hysenit një sulm personal dhe shantazh, si hakmarrje e informimit të publikut me detaje për akuzat që rëndojnë mbi ish-shefen e SHISH dhe veprimtarinë kriminale në të cilën dyshohet se ajo është përfshirë.

    Ajo e cilësoi vulgare gjuhën e përdorur nga ish-shefja e Shërbimit Sekret shqiptar dhe theksoi heshtjen për çështjen e saj penale.

    “E pyetur nga News24 nëse ka shpërndarë materiale të klasifikuara në drejtim të shtetasit Ergys Agasi, deputetja ka zgjedhur të kundërsulmojnë me gjuhë vulgare ndaj gazëtareve dhe duke i shantazhuar ata për takime në hotele të ndryshme. Kjo ka qenë përgjigjja e zonjës Hyseni, por asnjë fjalë për materialet që ka shpërndarë dhe që dyshohet sipas Prokurorisë së Posaçme që ka shpërndarë në adresë të shtetasit Ergys Agasi”, tha Lala.

    Vlora Hyseni akuzon gazetaren Lala: Si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e Hotelit Rogner?

    Reporteri
    24 Shtator 2026 | 12:18

    Ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, ka mbërritur në Gjykatën e Posaçme për t’u njohur me masën e sigurisë “arrest me burg”.

    Duke hyrë në Gjykatë Hyseni  i tha gazetares Klodiana Lala/

    “Si kalon ti me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner”, tha ajo drejtuar gazetarëve, që tentuan t’i merrnin prononcimin e saj.

    Dosja e SPAK

    Siç rezulton në dosjen e SPAK, ajo ka pasur komunikime periodike të përditshme me Agasin gjatë kohës që ai ishte në kërkim nga Prokuroria e Posaçme. Vetë Hyseni, e pyetur më datën 18 shtator nga prokurorët e SPAK, ka pranuar se ka pasur komunikime me Ergys Agasin, por ka thënë se Agasi i kishte ofruar asaj bashkëpunim dhe ka mohuar takimet fizike apo faktin që Agasi të ketë siguruar informacione nga Shërbimi Informativ i Shtetit.

    Ajo është zotuar të kthejë përgjigje zyrtare, me shkresë të klasifikuar, mbi origjinën e disa diagrameve të SHISH që SPAK ka sekuestruar në makinën e Agasit.

    Këto diagrama janë gjetur në një makinë të Agasit në një resort në Tiranë më 20 korrik 2026. Gjatë seancës gjyqësore për verifikimin e masës së sigurisë, SPAK thotë se Agasi ka pranuar se mjeti ishte i tij dhe se i kishte lënë këto sende me qëllim që t’i gjenin organet e Prokurorisë së Posaçme.

    Por sipas SPAK, Agasi jo vetëm që nuk ka qenë në rolin e “bashkëpunëtorit”, por në të kundërt është ai që merr dhe dikton informacionin e marrë, ndërsa kreu i SHISH nuk ka vënë në dijeni asnjë nga instancat, qoftë paralele apo brenda institucionit, për të ashtuquajturin bashkëpunëtor.

    Prokuroria e Posaçme shprehet se komunikimet mes kreut të shkarkuar të SHISH dhe Agasit përfshinin jo vetëm telefonata të thjeshta, por edhe video call dhe dërgim e marrje fotosh e videosh, gjë që sipas SPAK rrëzon alibinë e bashkëpunëtorit të pretenduar nga deklarimi i Vlora Hysenit.

    Në total, për periudhën 28 qershor 2026 deri më 26 gusht 2026, data e arrestimit të shtetasit Ergys Agasi, nëpërmjet aplikacionit “Signal”, janë regjistruar 70 thirrje të bëra nga Vlora Hyseni në drejtim të Agasit, 17 thirrje dalëse nga Agasi te Hyseni, 28 thirrje të humbura dhe 25 thirrje ku Agasi nuk i është përgjigjur Hysenit.

    Kryemadhi me batuta para gjykatës për masën ndaj Hysenit: I patë si i fik radarët? Dashuria, gjë e madhe

    Reporteri
    24 Shtator 2026 | 10:53

    Monika Kryemadhi është shfaqur me batuta para gazetarëve dhe operatorëve, pak para nisjes së seancës gjyqësore.

    Duke iu referuar çështjes së masës së sigurisë ndaj ish-kreut të SHISH, Vlorë Hysenit, dhe komunikimeve të saj me Ergys Agasin, Kryemadhi iu drejtua gazetarëve me tone ironike.

    “Si jeni? Si keni kaluar? Jeni bërë gati, se keni ditë të gjatë sot?! I patë si i fik radarët. Dashuria, gjë e madhe. S’na i fikur njeri radarët ne, ne na i ndezën.”, u shpreh Kryemadhi para se të hynte në gjykatë.

    “Flej rehat zemër, krejt radarët e shtetit i mbyll për ty”- Zbulohen mesazhe të reja mes Vlora Hysenit me biznesmenin

    Reporteri
    24 Shtator 2026 | 10:42

    Detaje të reja kanë dalë në dritë nga komunikimet mes Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit, me këtë të fundit që shfrytëzonte të dhënat që i jepte shefja e SHISH për të qëndruar 8 muaj në arrati, duke iu fshehur policisë.

    Në një prej bisedave, Hyseni dyshohet se i jep Agasit informacion mbi lëvizjet e strukturave të sigurisë. Në një prej qindra mesazheve që dyshja ka shkëmbyer mes tyre, Hyseni i kërkon Agasit të mos përdorë një numër tjetër telefoni, duke i thënë se ai dyshohet se është nën përgjim.

    “Shpirt, mos e përdor atë numrin tjetër sonte se çunat ia kanë çu veshin. Flej rehat. Të du!”, thuhet në mesazhin e publikuar.

    Në vijim, Ergys Agasi e pyet nëse ka ndonjë rrezik për persona të afërt me të, ndërsa përgjigjja që sipas dosjes i përket Hysenit është:

    Krej radarët e shtetit i fik për ty!

    Gjatë ditës së sotme Vlora Hyseni do të dalë sot përpara Gjykatës së Posaçme, për t’u njohur me masën e sigurisë, dhe ku pritet të japë shpjegime për komunikimet me Agasin përpara prokurorëve të SPAK.

    Kur u mor në pyetje rreth një javë më parë nga hetuesit e SPAK, Hyseni kishte deklaruar se Agasi ishte një bashkëpunëtor i saj, në kuadër të rrjetit të agjentëve të SHISH. Por sipas provave të publikuara deri tani nga Prokuroria pretendimi i saj nuk qëndron, dhe se marrëdhënia mes dyshes ka qenë përtej asaj institucionale.

    Çështja pritet të marrë zhvillime të mëtejshme ndërsa SPAK vijon verifikimet mbi komunikimet, marrëdhëniet dhe informacionet që dyshohet se janë shkëmbyer mes personave të përfshirë në dosje.

    Vlora Hyseni nesër del para Gjykatës

    Reporteri
    23 Shtator 2026 | 17:02

    SPAK përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se Vlora Hysenit, ish-drejtueses së Inteligjencës shqiptare i është caktuar masa e “arrestit shtëpiak”.

    Gjithashtu për Hysenin është caktuar seanca për marrjen në pyetje. Hyseni do të merret në pyetje nesër në orën 12:00

    “Seanca për marrjen në pyetje të personave nën hetim Fatjon Kalluçi dhe Embro Sulejmani është caktuar me datë 24.09.2026, ora 09:00, ndërsa për personin nën hetim Vlora Hyseni është caktuar me datë 24.09.2026, ora 12:00.”, thuhet në njoftim.

    508 komunikime në telefon me Ergys Agasin, Vlora Hyseni u intervistua nga SPAK javën e kaluar, por u mbajt sekret

    Reporteri
    23 Shtator 2026 | 17:01

    Drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror Vlora Hyseni dhe biznesmeni i arrestuar Ergys Agasi kishin komunikim të vazhdueshëm me njëri tjetrin, madje sipas Prokurorisë së Posaçme dyshohet se Hyseni e ndihmonte atë duke i dhënë informacione të klasifikuara edhe gjatë kohës që ai ishte në kërkim.

    SPAK disponon rreth 508 forma bisedash, që përfshijnë komunikime telefonike dhe biseda në aplikacione të ndryshme të kryera mes Hysenit dhe Agasit nga data 28 qershor deri në 26 gusht të kryera mes Hysenit dhe Agasit, kohë kur biznesmeni i akuzuar për grup të strukturuar kriminal ishte në kërkim.

    Vlora Hyseni u mor në pyetje në Prokurorinë e Posaçme javën e kalura, ku përpara prokurorëve të çështjes pranoi që ka patur komunikime me Agasin, por mohoi të ketë bashkëpunuar apo ta ketë takuar fizikisht atë, raporton abcnews.al. Drejtoresha e SHISH dhe biznesmeni kishin lidhje personale me njëri tjetrin. Kjo vërtetohet nga bisedat e zberthyera nga Prokuroria e Posaçme.

    Megjithatë, përtej lidhjes personale, ish zyrtarja e lartë e ndimonte Ergys Agasin me çështjen penale që SPAK kishte hapur ndaj tij.

    Ajo ka patur komunikim të vazhdueshëm me atë, edhe pse ishte shpallur në kërkim nga prokuroria për 7 vepra penale. Ndaj Vlora Hysenit, GJKKO ka firmosur masën arrest në shtëpi dhe pezullim nga detyra, si person që ka përkrahur Ergys Agasin dhe se i ka dhënë këtij të fundit informacione të klasifikuara si shtetërore.

    Hyseni bashkë me Embro Sulejmanin dhe Fatjon Kalucin, dy persona të tjerë ndaj të cilëve gjykata vendosi masë, pritet të dalin nesër përpara GJKKO për vlerësimin e kushteve të masës së sigurisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!