×
  • Lajme
  • Botë

    Brenda istikameve të Ukrainës lindore, ushtari ukrainas: Ne do ta mbrojmë Atdheun tonë

    Reporteri
    22 Shkurt 2022 | 15:26
    Ilustrim | Foto: Rowan Griffiths / Daily Mirror, 2021

    Në një llogore me baltë në vijën e frontit në Zolote, në Ukrainën lindore, pjesëtarë të ushtrisë ukrainase i thanë BBC-së se kjo ishte vetëm një ditë tjetër e një lufte të gjatë.

    Trupa ushtarake të Ukrainës që nga viti 2014 kanë luftuar kundër separatistëve të mbështetur nga Kremlini. Ata thonë se urdhrat e tyre nuk kanë ndryshuar që kur presidenti Putin njohu dy enklavat separatiste si republika të pavarura, përcjell në shqip Gazeta Online Reporteri.net raportin e BBC-së.

    Lëvizja e Putinit mund të lajmërojë ardhjen e trupave ruse në vijën e frontit – të dërguar me pretekstin si “paqeruajtës” për të mbrojtur civilët në zonat e shkëputura.

    Ukrainasit thonë se tashmë prej vitesh ka pasur prani ushtarake ruse në vijën e frontit. Ndryshimi është vetëm se tani gjithçka është zyrtare.

    “Nëse rusët vijnë, ata nuk do të jenë të motivuar si ne,” i tha BBC-së një ushtar ukrainas, shkruan Reporteri.net. “Ne po mbrojmë Atdheun tonë, kështu që do të qëndrojmë në tokën tonë. Dhe nuk do të jetë si viti 2014 [kur Moska aneksoi Gadishullin e Krimesë]. Tani kemi një ushtri të fortë.”

    Ushtari ukrainas që foli për BBC-në | Foto: BBC, 2022

    Gazetarja e BBC-së, Orla Guerin, që po raporton nga vendi i ngjarjes, shpjegon se gjatë qëndrimit të saj të martën në Ukrainën lindore pati granatime, dhe rreth gjysmë ore më vonë trupat ukrainase iu kundërpërgjigjën zjarrit.

    Frika është se situata në vijën e frontit mund të përshkallëzohet. Këtu rrezikohet më shumë sesa e ardhmja e Ukrainës. Ka implikime afatgjata për sigurinë në Evropë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!