×
  • Lajme
  • Botë

    Biden i drejtohet botës me fjalim: Putini ka nisur pushtimin e Ukrainës, po i shkel ligjet ndërkombëtare

    Reporteri
    22 Shkurt 2022 | 20:51

    Presidenti i SHBA-së Joe Biden i është drejtuar botës në një adresim lidhur me situatën e tensionuar Rusi-Ukrainë. Gjatë këtij adresimi, Biden tha se presidenti rus Vladimir Putin në “mënyrë të çuditshme” pretendoi se dy rajone, duke iu referuar Donetskut dhe Luhanskut, që ai njohu si shtete të pavarura nuk janë më pjesë e Ukrainës.

    Presidenti Biden tha se beson se Putini po krijon “një arsyetim” për të shkuar shumë më tej dhe për të marrë më shumë territor ukrainas me forcë, shkruan BBC, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

    “Ky është fillimi i një pushtimi rus të Ukrainës,” tha ai, duke iu referuar fjalimit të Putinit të hënën dhe autorizimit të Dumës për të dërguar trupa në Donbas.

    Biden foli edhe për gazsjellësin Nord Stream 2 pasi Gjermania ndaloi licencën. Biden theksoi se SHBA do të punojnë me Gjermaninë për të siguruar që gazsjellësi Nord Stream 2 “nuk do të ecë përpara”.

    “Rusia do të paguajë një çmim edhe më të lartë nëse vazhdon agresionin – duke përfshirë sanksione më të forta”, paralajmëroi Biden.

    Ai bëri të ditur se ka autorizuar lëvizjen shtesë të forcave amerikane për aleatët në Evropën Lindore.

    Në fjalën e tij, Biden tha se forcat dhe pajisjet – të cilat tashmë janë në Evropë – do të dërgohen në vendet baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.

    “Më lejoni të jem i qartë, këto janë lëvizje mbrojtëse nga ana jonë”, tha ai.

    “Ne nuk kemi ndërmend të luftojmë Rusinë”, shtoi Biden.

    Vendosjet, shtoi Biden, kanë për qëllim t’u dërgojnë një mesazh aleatëve të SHBA-së se do të mbrojnë territorin e NATO-s dhe do t’u binden angazhimeve të traktatit.

    Ai thotë se SHBA do të vazhdojë të “përshkallëzojë sanksionet” nëse Rusia vazhdon të përshkallëzojë veprimet e saj në Ukrainë. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!