Autor: Ardit Sejdiu
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ortoped me profesion, thotë se problemi me proteza për gju dhe kukë ka filluar nga koha e pandemisë Covid-19, ku përmendi se përgjatë kësaj periudhe nuk është vendosur as një protezë. Në një bisedë për Gazetën Online Reporteri.net ai thotë se nga Oda e Mjekëve të Kosovës janë duke bërë analizë me shkrim e propozime konkrete për Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me mjete financiare, pasi siç vlerëson ai në spitale nuk ka gjëra esenciale, duke filluar nga penjtë.
Që nga viti 2018 në Klinikën e Ortopedisë pacientët përballen me problemin e listës së gjatë të pritjeve për të vendosur prozetën në gju ose në kukë, ku sipas të parit të OMK-së, këtij problemi më së shumti i ka kontribuar pandemia Covid-19, kjo pasi që përgjatë kësaj periudhe sipas tij nuk është vendosur asnjë protezë.
“Po ka patur probleme, por që nga koha e pandemisë nuk kemi vendosur proteza, ngase këtu nuk ka kushte, nuk ka as penjë e lëre më tepër”, tha Sejdiu për Gazetën Online Reporteri.net.
Ndërkaq, Sejdiu thekson se gjatë tërë kohës ka qenë problem edhe bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë, por sipas tij një problem po zgjidhet që nga ardhja e Rifat Latifit në krye të MSH-së, ku përmend se kanë filluar takime dhe po bëhen propozime konkrete mbi një shumë më të madhe financiare.
“Prej ardhjes së Rifat Latifit në krye të Ministrisë së Shëndetësisë ne po kemi takime me të edhe gojarisht i kemi shtjellu problematikën dhe faktorët e ngecjeve në zvogëlimin e listës së pritjeve. Tani jemi duke e bërë një analizë me shkrim dhe propozime konkrete si të veprohet, që nëse këto kërkesa plotësohen, ne mundemi për një vit me bë operacionet e të gjithë pacientëve”, thekson Sejdiu.
Ndryshe nga Sejdiu, Drejtori i Klinikës së Ortopedisë në QKUK, Gani Jashanica kishte deklaruar ditë më parë se shumë pacientë kanë vdekur duke pritur për të vendosur një protezë në gju apo kukë. Sipas tij, në Klinikë ka një listë mbi 1 mijë e 400 pacientë për vendosjen e protezës, ku më së shumti në numër janë ata që presin për gju, rreth 1 mijë e 30, ndërsa për atë në kukë, sipas Jashanicës janë 380 pacientë në pritje.
Lidhur me këtë, Gazeta Online Reporteri.net e ka kontaktuar Drejtorin e Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica, por që i njëjti nuk është përgjigjur.
Për çështjen e listës së pritjeve të pacientëve, lidhur me problemin e protezave në gju e kukë, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi kur ishte emëruar në krye të kësaj Ministrie kishte kërkuar që lista e pritjeve për trajtim të pacientëve në Klinikën e Ortopedisë të zvogëlohet.
“Jam shumë i interesuar dhe jam duke punuar fort, që kjo listë e pritjes të zvogëlohet në këtë klinikë dhe në spitalet rajonale dhe pacientët të marrin shërbimin e duhur, pa pritje”, kishte thënë Latifi.
Vlen të përmendert se përveç pritjes së pacientëve në një listë të gjatë në Klinikën e Ortopedisë, lista të gjata ka edhe në klinika tjera për koronarografi dhe stentim./Reporteri.net