Në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës gjinekologu Musa Krasniqi i cili vepron në Danimarkë është duke ofruar operacione dhe shërbime tjera falas me metoda të cilat nuk janë bërë më herë në vendin tonë.
Burime të Reporteri.net, kanë informuar se i njëjti ka marrë edhe leje nga Ministria e Shëndetësisë që ti mundësohet që për disa ditë të kryejë operacione në Spitalin e Pejës.
Sipas njoftimit të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, gjinekologu Dr. Musa Krasniqi si gjinekolog i njohur në Danimarkë ka përdorur për herë të parë largimin e mitres dhe adnexeve (vezorëve e vezëperquesve) me laparaskop në rrugë natyrore (vagjinale).
“Këtë metodë operative dhe metodën operative laparaskopike vetëm me një vrimë (prerje të vogël) prej 2 cm afër kërthizës, po ashtu për largimin e mitres e adnexeve, dr Musai i përdori (gjatë kësaj jave) me sukses të plotë edhe në Spitalin tonë”, thuhet në njoftimin e spitalit.
Sipas këtij njoftimi dy paciente janë operuar dhe se janë liruar pak orë pas operimit si pasojë e këtyre metodave të lehta, më me pak dhimbje dhe me të lira.
Ndër të tjera, Spitali i Pejës ka informuar se Dr. Krasniqi është duke operuar edhe cista ovariale me laparaskopi si edhe të gjitha format e prolapseve vaginale.
“Doktorin tani e kemi përsëri në misionin e tij vullnetar humanitar dyjavor dhe është në gjendje gatishmërie edhe pas orarit ditor në rast të nevojave për laparaskopi akute”, thuhet në njoftim.