Kompania OpenAI ka emëruar ish-shefin e Twitch, Emmett Shear si drejtor të përkohshëm, ndërkaq ish-shefi i kësaj kompanie, Sam Altman, i është bashkuar Microsoft-it në një varg episodesh befasuese në industrinë e inteligjencës artificiale, ka njoftuar Reuters.
Këto emërime, që ndodhën të dielën mbrëma, vijnë pas largimit të Altman disa ditë më parë nga posti i drejtorit të krijuesit të ChatGPT, duke u dhënë fund spekulimeve se ai mund të kthehej në OpenAI.
Në një deklaratë të publikuar në X – që më herët njihej si Twitter – Shear hodhi poshtë spekulimet se bordi i OpenAI ka shkarkuar Altmanin për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me sigurinë e modeleve të fuqishme të inteligjencës artificiale. Ai u zotua se do të nisë një hetim lidhur me këtë shkarkim, do të shqyrtojë një menaxhim të ri për OpenAI dhe të vazhdojë rrugën që kjo teknologji të jetë e qasshme, sikurse chatbot-in e tij viral.
“Nuk është asgjë pa njerëzit e saj”, a po e paralajmëron edhe Mira Murati largimin nga OpenAI?
“Nuk jam aq i çmendur sa të pranoj këtë vend pune pa pasur mbështetjen e bordit për komercializimin e modeleve tona të mrekullueshme”, tha Shear, duke shtuar se “stabiliteti i OpenAI dhe suksesi jonë është shumë i rëndësishëm sa të lëmë që kjo mosmarrëveshje të na dëmtojë”.
Më herët ka reaguar ish-shefja e Teknologjisë e OpenAI dhe ish-CEO e përkohshme e kompanisë, Mira Murati tha të hënën se kompania kryesore e Inteligjencës Artificiale nuk është “asgjë” pa njerëzit e saj.
“OpenAI nuk është asgjë pa njerëzit e saj”, shkroi Murati në X.