Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka thënë sot se institucionet kanë ndërmarrë një sërë masash për forcimin e sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës.
Ai në takimin e parë të Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë (KNSSHP) ka folur për çështje të rëndësishme që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë.
Hoti bëri të ditur se gjatë shtatë muajve të këtij viti janë realizuar 8 mijë e 608 inspektime, ndërsa janë ndërmarrë mbi 290 masa për ndalimin e punimeve për shkak të shkeljeve të evidentuara.
“Në kuadër të veprimtarisë inspektuese, janë ndërmarrë mbi 290 masa për ndalimin e punimeve për shkak të shkeljeve të evidentuara nga 8608 inspektime të realizuara brenda vetëm shtatë muajve. Kemi avancuar digjitalizimin e inspektimeve dhe, siç e dini, tashmë veçse ka kaluar Inspektorati Qendror i Punës në inspektim digjital të plotë”, u shpreh Hoti.
Ministri Hoti tha se është marrë edhe vendim për përdorimin e dronëve për mbikëqyrjen e kantiereve të punës dhe vendeve me rrezikshmëri të lartë, ndërsa njoftoi se janë në finalizim procedurat për rekrutimin e 39 inspektorëve të rinj.
Hoti u shpreh se, pavarësisht masave të ndërmarra, aksidentet në vendin e punës, përfshirë ato me fatalitet, vazhdojnë të jenë shqetësim.
“Pavarësisht masave të ndërmarra, fatkeqësisht, aksidentet vazhdojnë të ndodhin në punë dhe përfshirë edhe ato me fatalitet apo humbje jete. Prandaj kjo kërkon një angazhim edhe më të dukshëm dhe më serioz nga ana jonë. Çdo rast duhet të analizohet me kujdes nga ana jonë për të caktuar përgjegjësitë dhe të ndërmerren masat për parandalimin e përsëritjes së saj”, tha ai.
Këshilli Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë u themelua më 14 maj 2026 nga Qeveria e Kosovës si një mekanizëm për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve. Ky Këshill do të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe do të kontribuojë në avancimin e standardeve të sigurisë në punë.
Siguria në vendin e punës vazhdon të jetë shqetësim, pasi vetëm sivjet 20 punëtorë kanë humbur jetën, prej tyre 11 raste në ndërtimtari dhe nëntë të tjera në sektorë të ndryshëm.