×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Enver Petrovci sjell në Beograd shfaqjen që parashikoi luftën në Kosovë

    Reporteri
    01 Qershor 2019 | 12:38

    Nga Beogradi: Shkumbin B. Kajtazi


    25 vjet pas, aktori Enver Petrovci u kthye për të bërë art në Beograd. Kësaj radhe jo si aktor, por si regjisor i një drame të shkruar nga vetë ai diku dhjetë vite para luftës së Kosovës.


    Kjo madje, sipas Petrovcit, ishte një parashikim i ngjarjeve që do të ndodhnin në Kosovën e fundviteve të 90-ta, shkruan Reporteri.net.

    “Po kthehem nuk e mbajë në mend, roli i fundit ka qenë Hamleti, vitet nuk i mbajë mend por emocionet po. Por ka më shumë se 25 vjetë. Kam pasur shumë emocione, jo për shkak të Beogradit por për shkak të aktorëve, se kemi pasur probleme se dy aktorë sot kanë qenë të zëvendësuar edhe për këta ka qenë premiera”, ka thënë Petrovci.

    Ndërkaq, Petrovci thotë se ka qenë e pamundur që kjo shfaqje të vendosej më herët në skenë, ani pse me mburrje thekson se e ka shkrujtur goxha vjet para se të ndodhnin me të vërtetë ngjarjet që luhen në dramë.

    “Ku me e vendos shfaqjen ku Kosova bëhet Republikë…ka qenë e pamundur. Kush ka guxu me vendos kur shqiptarët i thojnë Republikë, ku pastaj fituesit bëhen hajna. Por kjo nuk ndodhë vetëm tek shqiptarët kjo ndodhë tek popujtë që më në fund e fitojnë atë që e kanë dëshiruar me decenie”, ka shtuar ai.

    Sidoqoftë, drama “Kreolët e Ballkanit” parashikon se cfarë do të ndodhë në të ardhmen midis dy popujve. Shfaqja ka të bëjë me fëmijët e lindur në martesat e kombësive të përziera. Fëmijët nga familjet e përziera ishin në punë/pozita të ndryshme të larta në qeveri n ëish-Jugosllavi, për shkak të supozimit se fëmijët që vinin nga familje të tilla nuk janë rritur me tendenca nacionaliste

    Megjithatë, kur shpërthen lufta, përceptimi për fëmijët nga familjet e përziera ndryshon – ata bëhen të pabesueshme dhe të padëshirueshëm, pikërisht për shkak të faktit se ata nuk identifikohen vetëm me njërën anë. Drama zhvillohet mes dy personave nga familjet e përziera, të cilët mbrojnë idealet që kontribuan në tensionet dhe paragjykimet gjatë konfliktit etnik.

    Drama, sipas autorit, është një histori rreth dashurisë dhe shpresës që njerëzit me energji të ndryshme do të lënë menjanë mendimin nacionalist dhe do të krijojnë një botë më të mirë.

    Ndryshe, kjo shfaqje u soll në Beograd në kuadër të festivalit “Mirëdita, Dobar dan”, i cili po mbahet që prej 29 majit dhe do të zgjas deri më 1 qershor.

    Sic edhe u raportua, dy ditët e para të këtij festivali që për qëllim ka paqen përmes artit, u shoqëruan me protesta nga ultranacionalistët serbë, të cilët brohorisnin “Kosova është Serbi” dhe theksonin se “do të ndalnin Shqipërinë e Madhe”, ndonëse nuk ishte grup më i madh se 20 persona./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!