×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Kjo është kompania ajrore që rrezikoi qindra kosovarë – kishte pasur incident edhe para 19 ditësh

    Reporteri
    17 Qershor 2019 | 17:29

    Mbi 100 udhëtarë që ishin nisur nga Prishtina për në Basel, natën e mbrëmshme e panë ferrin me sy. Ata panë vetën të fluturonin nëpër aeroplan, ndonëse ishin të lidhur me rrypa të sigurisë.


    E si për ironi, kompania që dje shkaktoi një prej incidenteve më të mëdha në kohët e fundit me kosovarë të përfshirë, thekson sigurinë si një prej pikave ku ata fokusohen, shkruan Reporteri.net.

    “ALK Airlines ofron çmimet më tërheqëse, duke garantuar siguri dhe cilësi të lartë të shërbimeve të saj”, thuhet në faqen e kompanisë që mbrëmë gati sa nuk shkaktoi aksident të madh.

    Reporteri.net ka mësuar se kjo kompani, me të cilin po udhëtonin mbi 100 udhëtarë nga Prishtina, ishte bullgare. Ajo quhet “ALK Airlines” dhe operon për disa vite nga Aeroporti i Prishtinës, por edhe në shumë vende të tjera.

    Sidoqoftë, tani për kompaninë në fjalë po flasin të gjithë. Madje edhe shumë udhëtarë që i shpëtuan më të keqes, vendosën të flasin për media. Disa prej tyre kanë treguar momentin kur turbulenca ishte shumë e fuqishme dhe bëri që shumë prej tyre të përplasen nëpër aeroplan.

    Deri tani janë raportuar 10 persona që kanë marrë plagë nga ky incident, e të cilët edhe janë përgjakur nga goditjet që morën.

    Ndërkohë, për incidentin e mbrëmëshëm ka reaguar edhe një humorist kosovar, i cili thotë se me të njëjtën kompani kishin pasur problem të njëjtë edhe muajin e shkuar. Humoristi i njohur si “Rrahim Struja”, ka thënë se me 29 maj me të njëjtën kompani kishin pasur problem, për çka ishin detyruar të ateronin në Zagreb.

    “Të dashur shqiptarë, bojkotone këtë ALK AIRLINES. Më 29.05.2019 ishte rasti i parë që na shpëtoi zoti nga linja Stuttgard-Prishtinë, pasi ateruam në Zagreb. Dje ishte rasti i dytë në linjën Prishtinë -Basel. Uroj mos të ndodhë i treti rast”, ka shkruar ai në Facebook.

    Ndryshe, mediat kishin raportuar edhe për rastin e avionit që ishte nisur nga Gjermania për në Kosovë, mirëpo institucionet dhe as udhëtarët nuk kishin ngritur ndonjë alarm më të madh. Disa mërgimtarë, muaj më parë, kishin organizuar një fushatë lidhur me sigurinë dhe çmimet e kompanive që operojnë në Aeroportin e Prishtinës./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!