Kurti tha se sot nuk mund të ndalet Gjykata Speciale, i reagon ashpër Dardan Molliqaj

Kryetari i VV-së, Albin Kurti, sot ka thënë se sa ishte në Parlament e ka kundërshtuar krijimin e Gjykatës Speciale dhe po të ishte Vetëvendosje në pushtet do të mbroheshin luftëtarët e UÇK-së.


“Thaçi bashkë me udhëheqësit e LDK-së e krijuan Gjykatës Speciale. Sot nuk mund ta ndalim atë Gjykatë. Po të jetë në Qeveri Vetëvendosje do t’i mbronim luftëtarët e UCK-së”, ka thënë ai, duke akuzuar Qeverinë dhe Presidencën se askush s’po i mbron luftëtarët e UÇK-së.

Ndaj kësaj deklarate të Kurtit ka reaguar ish-shoku i tij i idealit, tani kryetar i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj i cili përmes një postimi në Facebook ka thënë se “ata që pyesin për fajtorët e djeshëm, e duan Gjykatën sot”, shkruan Reporteri.net.

Molliqaj ku citon Adem Demaçin i cili kishte thënë: “kurrë nuk është vonë me u koritë”.

Postimi i plotë i Molliqajt:

Ku ishe ti kur u votua Gjykata? A ju kemi thanë? Ju ka dalë gjumi vonë! Këto jane frazat më të shpeshta që po i dëgjojmë kur po flitet për arrestimet e fundit të ish pjesëtarëve të UÇK-së nga EULEX-i për Gjykatën Speciale.

Çfarë kuptimi kanë këto fraza? Funksioni kryesor i kësaj propagande është zhvendosja e debatit tek e shkuara. Gjithçka paska marrë fund, gjithçka qenka kryer. Tash krejt çfarë na ka mbetur është shpërndarja e fajeve dhe sidomos e meritave. Konkluzioni logjik: UÇK-ja qenka dashtë të mbrohet vetëm një herë, vetëm në një moment.

Për gjynah. Shumë prej tyre kurrë një pushkë nuk e kanë shkrepur; këta që për kaq shumë kohë kanë kritikuar luftëtarët për rrahagjoks, çfarë po bëjnë sot?! Po kakarisin për të djeshmen, sepse nuk janë gati të tregojnë koherencë sot. Po rrahin gjoks për një moment demek aq historik, kur bota qenka ndarë në dysh. Është ky momenti kur të paepurit i rezistuan edhe presionit bërthamor, por ama nuk e votuan Gjykatën Speciale. Në fakt, ulur në Kuvend ishin, bile s’kishte presion mbi ta sepse votat ishin siguruar. Mos harroni, të njëjtit me mosveprim pamundësuan shfuqizimin e Gjykatës Speciale në dhjetorin e vitit 2017.

Ku ishe ti kur u votua Gjykata? Heh, Unë isha në frontin e Lindjes në këtë moment apokalipsi kur botës iu parashkrua kjo histori mijëvjeçaresh. Pyeteni veten, si do të silleshin sikur të bënin më shumë sesa një refuzim për të votuar në rrethana krejt komode. Po sikur t’i kishin nga dy dëshmorë për familje e gjymtyrët të lëna nëpër beteja?!

Ku ishe ti kur u votua Gjykata?! Kjo pyetje, më shumë sesa pyetje retorike është mungesë guximi për t’u pozicionuar sot. Siç duket, ata që pyesin për fajtorët e djeshëm, e duan Gjykatën sot. A dëgjuat, sot paskan thënë se Gjykata nuk mund të ndalohet dot më. Adem Demaçi pati thënë: “kurrë nuk është vonë me u koritë”. Siç nuk është vonë as me u mbushë mend. Diskutimi është tash dhe këtu. Ku je ti sot? Çfarë mund të bëjmë sot?

Ku ishe ti kur u votua Gjykata? A ju kemi thanë? Ju ka dalë gjumi vonë! Këto jane frazat më të shpeshta që po i dëgjojmë…

Publiée par Dardan Molliqaj sur Dimanche 27 septembre 2020