×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Kushtetuesja: Kufizimi i lëvizjes bëhet nga Kuvendi, megjithatë ora policore vlen deri më 13 prill

    Reporteri
    31 Mars 2020 | 16:49

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka kthyer përgjigje në rastin e masave kufizuese të Qeverisë, e të kontestuara nga Presidenti i Republikës. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, vendimi i Qeverisë shkel Kushtetutën.


    “5. Po ashtu, Gjykata vendosi njëzëri se Vendimi [nr. 01/15] i 23 marsit 2020 i Qeverisë nuk është në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenet 35 [Liria e Lëvizjes], 36 [E drejta për privatësi], 43 [Liria e Tubimit] të Kushtetutës dhe me nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4, nenin 8 (E drejta për jetë private dhe familjare) dhe nenin 11 (Liria e tubimit dhe asociimit) të KEDNJ-së”, thuhet në një nga pikat e aktgjykimit të Gjykatës.

    Gjykata po ashtu e shpallë të pavlefshëm vendimin e Qeverisë.

    “Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet 113.2 (1) dhe 116 të Kushtetutës, në nenet 20 dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 31 mars 2020, njëzëri
    VENDOS
    I. TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;

    II. TË SHPALLË që Vendimi nr. 01/15 i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 23 marsit 2020, nuk është në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenet 35 [Liria e Lëvizjes], 36 [E drejta e Privatësisë] dhe 43 [Liria e Tubimit] dhe nenet 8 (E drejta e jetës private dhe familjare), 11 (Liria e tubimit dhe asociimit) të KEDNJ-së dhe nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4 të KEDNJ;

    III.TË KONSTATOJË që neni 56 [Të Drejtat dhe Liritë Themelore gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme] i Kushtetutës nuk është i aplikueshëm në rrethanat e rastit konkret sepse nuk kemi të bëjë me “shmangie” nga të drejtat dhe liritë themelore;

    IV. TË KONSTATOJË që, bazuar në nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës, kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore mund të bëhet “vetëm me ligj” të Kuvendit të Republikës së Kosovës;

    V. TË SHPALLË të pavlefshëm, në pajtim me nenin 116.3 të Kushtetutës, Vendimin e cekur në pikën II të këtij dispozitivi, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi;

    VI. T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;

    VII. Ky aktgjykim, në pajtim me nenin 116.3 të Kushtetutës, nenin 20.5 të Ligjit dhe rregullin 60 (5) të Rregullores së punës, hyn në fuqi më 13 prill 2020; dhe

    VIII. TË PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit”, përfundon aktgjykimi i Gjykatës.

    Në dokumentin e publikuar, thuhet se “Gjykata konstatoi se kufizimet që përmban Vendimi i kontestuar i Qeverisë përkitazi me të drejtat dhe liritë themelore kushtetuese të lartcekura, nuk janë të “përcaktuara me ligj”, andaj bien në kundërshtim me garancitë që përmbajnë nenet 35, 36 dhe 43 të Kushtetutës në lidhje me nenet respektive të KEDNJ-së, dhe me nenin 55 të Kushtetutës,i cili në paragrafin e tij të parë përcakton qartë që të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm me ligj”.

    Gjithashtu, në dokument theksohet se “Vendimi i kontestuar i Qeverisë, i referohet zbatimit të dy ligjeve të lartcekura, të cilat e autorizojnë Ministrinë e Shëndetësisë që të ndërmarrë masa të caktuara në ato ligje me qëllim të parandalimit dhe luftimit të sëmundjeve ngjitëse. Megjithatë, Gjykata konstatoi se ligjet e lartcekura, nuk e autorizojnë Qeverinë që të kufizojë të drejtat dhe liritë kushtetuese të përcaktuara me nenet 35, 36 dhe 43 të Kushtetutës në nivel të të gjithë Republikës së Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa përjashtim”.

    Sipas Gjykatës Kushtetuese, vendimi i Qeverisë nuk bazohet në asnjë autorizim nga Kuvendi i Kosovës.

    “Në këtë aspekt, Gjykata konstatoi se kufizimet e shqiptuara përmes Vendimit të kontestuar: (i) lidhur me lirinë e lëvizjes dhe të tubimit të përcaktuara përmes neneve 35 dhe 43 të Kushtetutës, tejkalojnë kufizimet e lejuara përmes ligjit të lartcekur të miratuar nga Kuvendi; dhe (ii) lidhur me “tubimet në të gjitha mjediset – private dhe publike, të hapura ose të mbyllura” e që ngërthejnë aspekte të të drejtave të garantuara përmes nenit 36 të Kushtetutës, nuk janë të bazuara në asnjë autorizim të përcaktuar me ligjin e lartcekur apo edhe ndonjë ligj tjetër të Kuvendit”, thuhet më tej në dokument.

    Sipas Gjykatës Kushtetuese, “Qeveria nuk mund të kufizojë asnjë të drejtë dhe liri themelore përmes vendimeve, nëse një kufizim i të drejtës përkatëse nuk është paraparë me ligj të Kuvendit. Qeveria vetëm mund të zbatojë një ligj të Kuvendit që kufizon një të drejtë dhe liri themelore dhe atë vetëm deri në masën specifike që e ka autorizuar Kuvendi përmes ligjit përkatës”.

    Gjykata Kushtetuese përmes këtij dokumenti njofton se “ka përcaktuar një datë tjetër të hyrjes në fuqi të Aktgjykimit të saj, respektivisht datën 13 prill 2020, përjashtimisht dhe duke marrë parasysh: (i) rrethanat e krijuara me shpalljen e pandemisë COVID-19 në nivel botëror; (ii) rekomandimet përkatëse të institucioneve shëndetësore në nivel shtetëror dhe botëror; (iii) pasojat potencialisht të dëmshme për shëndetin publik si rezultat i shfuqizimit të menjëhershëm të kufizimeve të përcaktuara përmes Vendimit të Qeverisë; dhe (iv) mbrojtjen e shëndetit dhe interesit publik deri në zbatimin e këtij Aktgjykimi nga institucionet relevante të Republikës së Kosovës”.

    Ajo thotë se “Gjatë kësaj periudhe kohore dhe në kuptim të nenit 55 të Kushtetutës përkitazi me “kufizimin” e të drejtave dhe lirive themelore, institucionet relevante të Republikës së Kosovës, dhe në radhë të parë Kuvendi, duhet të ndërmarrin masat e duhura për tu siguruar që kufizimet e nevojshme të të drejtave dhe lirive themelore më qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, janë bërë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim”, shkruan ndër të tjera.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!