×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Rreth 200 udhëtarë pritën 16 orë në aeroportin e Prishtinës – ankohen se nuk u akomoduan në hotel

    Reporteri
    29 Prill 2019 | 20:02

    Gati 200 udhëtarë kanë qëndruar në Aeroportin e Prishtinës mbrëmë, pasi fluturimet ishin shtyrë. Udhëtarët po thonë se nuk patën ide se çka po ndodhë derisa iu ra të prisnin 16 orë në aeroport. Por, nga Aeroporti i Prishtinës thonë ndryshe.


    Fluturimet nga Aeroporti i Prishtinës për në Zvicër ishin dashur të ndodhnin dje. Udhëtarët kishin pritur 7 orë për të marrë ndonjë informacion rreth anulimit të fluturimeve, por nuk morën asnjë info.

    Disa prej udhëtarëve treguan për Express se kompanitë iu kishin thënë se nëse nuk realizohen fluturimet atëherë ata do të akomodoheshin në hotele, e që sipas udhëtarëve, kjo nuk ka ndodhur.

    Gjithsej pas 16 orësh kur 180 udhëtarë kishin kaluar natën në Aeroportin e Prishtinës, udhëtarët ishin nisur për në destinacionin e tyre, por prapë, pa asnjë shpjegim për atë që ka ndodhur një natë para.

    Për anulimin e fluturimeve udhëtarët thanë se nuk u njoftuan për arsyet dhe as kompanitë ku i kishin blerë biletat nuk u morën me ta.

    Por, nga Aeroporti i Prishtinës thanë se me këto probleme u ballafaquan vetëm disa udhëtarë të kompanisë “Orange 2fly”.

    Shtyrja e fluturimit të kësaj kompanie, Aeroporti i Prishtinës thotë se ndodhi për shkak të disa çështjeve teknike të aeroplanit.

    Udhëtarët thanë se pasi që pritën fillimisht 6 orë për të marrë fluturimin për në Zvicër, ishin njoftuar se kompania kishte sjellë një fluturim shtesë, një aeroplan më të vogël, por prapë se prapë qindra udhëtarë mbetën pa udhëtuar.

    Në përgjigjen zyrtare të Aeroportit të Prishtinës, zëdhënësja për media, Valentina Gara, konfirmoi për Express për fluturimin shtesë, i cili tha se ishte me kapacitet të vogël të ulëvese, andaj kjo ishte arsyeja pse disa udhëtarë kishin mbetur pa fluturuar.

    “Vetëm disa nga udhëtarët e kompanisë Orange 2fly nuk kanë udhëtuar dje. Fluturimi i kësaj kompanie nuk është realizuar me kohë për shkak të disa çështjeve teknike të aeroplanit. Me këtë rast kompania ajrore ka sjellur fluturim shtesë por me kapacitet më të ulët të ulëseve. Me ç’rast disa udhëtarë kanë mbetur pa fluturuar”, tha zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara.

    A.Sh (emër i njohur për redaksinë), tregoi për problemet që ishte ballafaquar babai i tij, me pritjet e gjata dhe me mos dhënien e informatave, dhe për mos përmbushjen e obligimeve nga ana e kompanisë.

    Fjala është për fluturimin Prishtinë – Basel, i cili ishte paraparë të niset dje në orën 18:30. A.Sh, tha se pasagjerët kishin pritur 7 orë pa asnjë informacion se a do të ketë fluturim apo jo. Ai tha gjithashtu se qendra e thirrjeve në Reisburo, nga ku i kishin blerë biletat, nuk jepte asnjë informatë të saktë.

    Agjencioni ku ishin blerë biletat, A.Sh, tha se iu kishin thënë që do të vijnë autobusët t’i marrin udhëtarët dhe t’i akomodojnë në hotele, por sipas tij, kjo nuk ka ndodhur dhe pritjet brenda aeroportit shkuan deri në 16 orë.

    “Agjencioni nga të cilin kemi blerë biletën kanë thënë që do të vijnë autobusët t’i marrin t’i akomodojnë nëpër hotele, por kjo nuk ka ndodhur. Gjithë natën e gjatë 180 persona kanë qëndruar në aeroport, përfshirë babanë tim, duke pritur se çfarë po bëhet”, tha A.Sh.

    Por, Aeroporti i Prishtinës e mohon një gjë të tillë. Ata thonë se udhëtarët janë informuar gjatë tërë kohës për fluturimin dhe ata janë akomoduar në hotel, si dhe me transport vajtje-ardhje për aeroport dhe anasjelltas.

    “Udhëtarëve disa herë iu është ofruar ushqim dhe pije sipas procedurës të të drejtave të udhëtarëve dhe me rastin e konfirmimit të anulimit të fluturimit të tyre, atyre iu është ofruar edhe akomodimi në hotel si dhe transporti vajtje-ardhje për aeroport dhe anasjelltas. Këta udhëtarë kanë udhëtuar sot në orët e hershme të mëngjesit”, tha Gara.

    Edhe pse nga Aeroporti thonë se udhëtarëve që iu ndodhi kjo ishin vetëm të kompanisë Orange 2fly, A.Sh, thotë se në mesin e 180 pasagjerëve që ishin bllokuar, kishte edhe prej kompanive të tjera.

    “Ka pas edhe prej kompanive tjera. Ne kemi blerë biletën nga Reisburo Prishtina, por ka pas pasagjerë edhe nga agjenci të tjera. Agjencia e fluturimit ka qenë Orange 2fly”, tha A.Sh.

    Nga Aeroporti i Prishtinës thanë se i tërë informacioni që kanë pasur në dispozicion, iu është kumtuar udhëtarëve përmes stafit të aeroportit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!