×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Veseli kërkon drejtësi ndërkombëtare për kriminelët serbë që kryen masakrat në Kosovë

    Reporteri
    27 Prill 2019 | 16:50

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka kërkuar sot nga Meja e Gjakovës drejtësi për qindra masakra që njësitet paramilitare serbe i kanë kryer në Kosovë, shkruan Reporteri.net


    Ai ka thënë se mosndëshkimi i kriminelëve serbë që kanë kryer vrasje mizore duke i varrosur e rivarrosur disa herë viktimat, është dështim i drejtësisë ndërkombëtare.

    “Çdo vit ne vijmë, vizitojmë dhe vëjmë lule mbi lëndinat e vdekjes. Çdo vit ne flasim, lotojmë dhe ndajmë dhembjen si komb. Na janë harxhuar fjalët por na janë rritur edhe pakënaqësitë e qytetarëve tonë. Përderisa ne pikëllohemi, ekzekutuesit e këtyre masakrave festojnë, gëzohen më fortë e më fortë dhe mohojnë veprat e tyre mizore. 186 lëndina të tilla të vdekjes janë sot në Kosovë, 186 herë krim, rreth 15 mijë civilë të vrarë, të pafajshëm, nga ata afër 1300 janë fëmijë. 186 herë është dështim i drejtësisë ndërkombëtare. 186 herë i ka vra, i ka vra, i kanë varrosë dhe i kanë rivarrosë. Nuk e dimë se çka u kanë bërë dhe pse u kanë bërë, a i kanë vrarë vetëm? A jau kanë marrë organet? Pse i kanë varrosë? Pse i kanë rivarrosë? Pse i kanë marrë në Serbi dhe pastaj pa asnjë analizë i kanë kthyer në Kosovë. Po diçka e dimë sigurt, sikur kjo ditë që është ditë, edhe siç është kjo masakër e Mejës më 27 Prill. Dihen njësitë serbe, dihet urdhëruesit, dihen komanduesit, edhe sot gjithë qytetarët e vendit tim pyesin: pse nuk ka të drejtësi dhe pse ka mohim?”, ka deklaruar kryeparlamentari Veseli.

    Kreu i Kuvendit të Kosovës e ka falënderuar Ambasadorin Marrikan i cili sot ishte në Meje të Gjakovës për të ndarë dhimbjen bashkë me familjarët e viktimave dhe krerët e institucioneve të Kosovës.

    “I nderuar z. Ambasador i ShBA-ve, sot në prezencën e juaj në këtë vend, po bëni një akt që do t’ju krenojë juve personalisht përherë përkrahë nesh. Ne nuk duam revansh, ne duam vetëm drejtësi. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe”, tha Veseli.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!