Policia e Kosovës dje zhvilloi një aksion policor në veri të vendit ku mbylli pesë objekte të komunave ilegale. Policia e Kosovës ka njoftuar se aksioni është realizuar bazuar në kërkesën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Kosovës dhe organeve të drejtësisë.
Policia e Kosovës në njoftimin e saj tha se “Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë dhe ndërprerja e aktiviteteve në pesë objekte të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Por zhvillimi i këtij aksioni zhgënjeu tej mase aleatët ndërkombëtarë, ku reaguan Ambasada e SHBA-së në Kosovë, Gjermanisë, Britanisë të Madhe, e Francës si dhe Zyra e BE-së në Kosovë.
Ambasada e ShBA-së në Kosovë ka reaguar lidhur me aksionin e Policisë në Veri për mbylljen e mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale, duke shprehur shqetësim dhe zhgënjimi “me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës”, shkruan Reporteri.net.
Në reagim thuhet se Qeveria ka instumentalizuar Policinë e Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, thuhet në reagim.
Tutje, thuhet se veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj.
“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm i Qeverisë i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimin që të “vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar”. Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, thuhet në reagim.
Për veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës, ka reaguar edhe Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.
Ambasadori gjerman Jorn Rohde ka thënë se njoftimi s’është konsultim dhe sipas tij një gjë e tillë duhet të ndryshojë.
Ai në “X” ka shkruar se s’ka nevojë për situatë krize tjetër dhe ka përmendur edhe dëshirën për heqje të masave dhe lëvizje përpara drejt integrimit në BE të Kosovës.
Një reagim për veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit e ka bërë edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se veprime të tilla, kërkojnë konsultim me miqtë e Kosovës.
Ambasadori Hargreaves tha se veprimet u bënë pa konsultim dhe rrezikojnë nxitjen e tensioneve.
“Veprimet që ndikojnë thelbësisht në mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera joshumicë kërkojnë konsultim të kujdesshëm me miqtë e palëkundur të Kosovës dhe partnerët e sigurisë, në kontekstin e dialogut më të gjerë. Veprimet në veri të Kosovës u kryen pa këtë dhe qe dhe të prekin më të cenuarit.” , thuhet në reagimin e ambasadorit Hargreaves.
Ka reaguar edhe Ambasada Franceze në Prishtinë.
Në një reagim në rrjetin “X”, ambasadori francez Olivier Guerot ka shpërndarë qëndrimin e SHBA-s’ dhe ka shtuar se veprimet e njëanshme nuk sjellin zgjidhje të qëndrueshme, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Veprimet që kanë ndikim të dëmshëm dhe pa dallim te pjesëtarët e një komuniteti, në këtë rast pjesëtarët e komunitetit serb, nuk janë të mirëseardhura. Veprimet e njëanshme nuk sjellin zgjidhje të qëndrueshme.”, ka shkruar Olivier Guerot.
Poashtu ka reaguar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë për veprimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e komunave ilegale në veri, ku thotë se është zhgënjyer për mungesën e vazhdueshme të koordinimit me ofruesit e sigurisë së Kosovës dhe me partnerët ndërkombëtarë, shkruan Reporteri.net.
BE thotë se operacioni i Policisë së Kosovës kundër zyrave të mbështetura nga Serbia në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, i zhvilluar nën udhëzimet e Qeverisë së Kosovës, rrezikon situatën e brishtë të sigurisë në terren.
Në reagim tutje thuhet se EULEX është vendosur menjëherë për të monitoruar zhvillimin e këtij operacioni, i cili nuk ishte i koordinuar me BE-në dhe partnerët ndërkombëtarë.
“BE-ja dëshiron të përsëris se Kosova është angazhuar për de-përshkallëzim. BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që të shmangë çdo veprim që mund të ndikojë negativisht në sigurinë e njerëzve në terren. Fatkeqësisht thirrjet tona janë shpërfillur nga qeveria e Kosovës”.
Në reagimin e tyre thuhet se ky operacion policor i Kosovës në veri mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të një situatë, që sipas tyre, tashmë është e paqëndrueshme
“BE do të dëshironte të përsëriste se operacioni aktual i policisë kundër zyrave të mbështetura nga Serbia mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të një situate tashmë të paqëndrueshme. Zyrat e mbështetura nga Serbia parashikohet të adresohen dhe zgjidhen në Dialogun e lehtësuar nga BE. Presim që Kosova dhe Serbia të adresojnë dhe zgjidhin çështjet e hapura mes tyre në Dialogun e lehtësuar nga BE”, thuhet në reagim.
Policia e Kosovës tregon se çfarë u konfiskua
Policia e Kosovë ka sqaruar se përmes operacionit në veri ka ndërprerë aktivitetet ilegale në pesë objekte si dhe një operacion tjetër në objektet përcjellëse në Spitalin e Mitrovicës së Veriut, ku është sekuestruar material ushtarak.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës, thuhet se operacioni policor i realizuar në veri të Kosovës, ka përfunduar me ndërprerjen e aktiviteteve ilegale dhe mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale në veri të Kosovës, siç janë Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna ilegale e Mitrovicës, Komuna ilegale e Zveçanit, Komuna ilegale e Zubin Potokut dhe Komuna ilegale e Leposaviqit.
“Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar dokumentacione, pajisje teknologjike dhe dëshmi relevante që ndërlidhen me aktivitetet ilegale, të ushtruara nga strukturat ilegale në këto objekte”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
Në njoftim thuhet se Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave policore në një operacion të ndarë në objekte përcjellëse të spitalit në Mitrovicë Veri, gjatë kontrollit ka gjetur dhe sekuestruar një xhaketë ushtarake, një çantë krahu, disa fishekë me rrethatore, dy thika dhe mbështjellës/këllëf të armës së gjuetisë.
“I tërë operacioni policor është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, përderisa ka përfunduar në orët e mbrëmjes pa ndonjë incident apo rast për tu veçuar, ndërsa procedurat e mëtejme hetimore do të vazhdojnë nga njësitet relevante policore nën autorizimin e prokurorisë kompetente”, thuhet në njoftim.
Operacioni i zhvilluar në veri është përcjellë nga afër edhe nga pjesëtarët e EULEX-it dhe KFOR-it. /Reporteri.net/.