×
  • Lajme
  • Pa kategori

    18 rastet me coronavirus në Ferizaj, familjarë e kolegë të te vdekurit para tre dite – disa punojnë në Bondsteel e një në market

    Reporteri
    11 Prill 2020 | 0:11

    Janë 18 raste pozitive me Covid 19 që janë konfirmuar vetëm sot në Ferizaj. 2 kishte më herët e një prej tyre, një 65 vjeçar ka vdekur para 3 dite. Dhe të gjithë të prekurit sot janë kontakte të të ndjerit që kishte punuar në kampin ushtarak amerikan në Bondsteel.


    Albion Sherifi, këshilltar për media i Kryetarit të Ferizajt ka konfirmuar për Reporterin se të gjitha rastet është konfirmuar se kishin kontakt me personin nga fshati Sazli.

    “Të gjithë të konfirmuarit sot janë familjarë të ngushtë të tij, por edhe më të largët e që kanë pasur kontakte me të”, ka thënë Sherifi për Reporterin, gjersa ka thënë se tash po punojnë në gjetjen e kontakteve të këtyre të prekurve.

    Rastet pozitive janë raste kontakti, (18) raste nga komuna Ferizaj (8 Sazli, 3 qytet Ferizaj, 2 Mirash, 1 Varosh, 1 Greme, 1 Talinovc i Muhaxherëve, 1 Neredime dhe 1 Lloshkobare).

    Reporteri.net merr vesh nga burime të sigurta se një familjar i të ndjerit, i prekur me Coronvirus punon në një market të Ferizaj, por jo në qytet.

    “Disa tjerë janë koleg të tij të punës në Bondsteel”, ka thënë një burim i sigurt i Reporterit. “Ai kishte punuar shofer. Nuk e dimë saktë punën që kanë kryer në Bondsteel këta të tjerët të prekur me coronavirus. Dyshimet thonë se dy janë shoferë kamioni, por jo e verifikuar plotësisht. E sigurt është se punojnë në Bondsteel”, ka thënë ky burim i Reporterit.

    Në gjithë Kosovën sot u shënuan 23 raste pozitive nderkaq u raportuan 14 të shëruar. Deri më tani, që nga 13 Marsi kur janë shënuar rastet e para, në Kosovë janë të prekur 250 persona. 52 tashmë janë shpallur të shëruar.

    Reporteri.net ditë më parë kishte kontaktuar edhe me drejtorin e Spiralit në Ferizaj, Jeton Zeqiri, aty ku ishte trajtuar i ndjeri. Kjo sipas drejtorit të përgjithshëm, pasi me të konfirmuar rastet e para me Coronavirus në Kosovë, të gjithë personali i spitalit të Ferizajt janë pajisur me të gjitha mjetet dhe masat e nevojshme për parandalimin e përhapjes së pandemisë. Prej ditës së parë stafi është me masa mbrojtëse.

    “Pacienti kur ka ardhë nuk ka qenë i dyshimtë për coronavirus. Ai ka qenë pacient i njohur për ne. Është trajtuar edhe me herët, para 6 muajve në spital tek ne”, thotë Zeqiri.
    “Por ne prej ditës së parë, stafi është me masa mbrojtëse, me dorëza, masakra, kapela, dezinfektues, etj. Me të gjitha çka nevojiten”, thotë ai.

    Megjithatë sipas tij, përkundër se nuk ndjehen të rrezikuar për ndonjë infektim të mundshëm, 9 punonjës të këtij spitali qysh të martën janë vetëizoluar, me tu konfirmuar se pacienti 65 vjeçar që ka vdekur dje, pas transferimit në QKUK, kishte qenë i infektuar me COVID-19.

    “Masi është rasti i parë tek ne dhe staf kemi mjaftueshëm, një pjesë e stafit, pra 9 persona janë vetëizoluar, përfshirë 2 mjekë, infermierët dhe një laborante”, tha ai për Reporteri.net.
    Tutje, Jeton Zeqiri, gjatë bisedës me Reporteri.net, tregoi se pacienti në Spitalin Rajonal të Ferizajt, ishte trajtuar në një dhomë ku kishte qëndruar i shtrirë vetëm ai, ndaj sipas tij nuk janë rrezikuar as pacientët tjerë të spitalit, përkundër se thekson se nuk kanë qenë në dijeni se pacienti që, dje, më vonë ndërroi jetë në QKUK, kishte qenë i infektuar me Coronavirus./Reporteri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!