×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Banorët në Dardani ankohen se për vizitën e Clintonit u konfiskuan vetura pa paralajmërim

    Reporteri
    13 Qershor 2019 | 21:09

    Prishtina ishte bërë gati që ta mirëpriste ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, dhe ish-sekretaren e shtetit, Madeleine Albright.


    Për të pasur siguri më të lartë, të mërkurën, i tërë bulevardi “Bill Clinton” në kryeqytet ishte i rrethuar nga pjesëtarë të policisë.

    Policia madje kishte larguar të gjitha veturat nga hapësira e dedikuar për parkim për banorët e lagjes “Dardania”.

    Por, me këtë veprim të policisë nuk janë të kënaqur banorët.

    Vegim Rashiti thotë se pa paralajmërim iu konfiskua vetura e tij. Ai thekson se për pasojë është detyruar t’i paguajë kompanisë shërbimin për transportimin e veturës, raporton KTV.

    Këtë aksion të policisë, Rashiti e quan të padrejtë pasi thotë se nuk ka parë asnjë njoftim paraprak.

    Në anën tjetër, një pronar i një biznesi në këtë lagje thotë se policia me kohë ka njoftuar që banorët duhet t’i largojnë automjetet.

    Policia thotë se me kohë i ka lajmëruar banorët që t’i largojnë veturat nga hapësirat e parkingut, në mënyrë që ata të mos dëmtohen.

    “Njësia policore e S. P. Jugu e ndërrimit te mëngjesit 07 – 15:00, në datën 11.06.2019, ka dalë në sheshin Bill Klinton, ka njoftuar bizneset, qytetarët dhe pronarët e automjeteve se në datën 12.06.2019, duke filluar prej orës 07:00, nuk lejohet parkimi i automjeteve në atë lokacion. Po ashtu, një njësi tjetër e këtij stacioni, në datën 11.06.2019, prej orës 18:30, ka shpërndarë fletushka informuese, të cilat i kanë vendosur nëpër parafangot e të gjitha automjeteve të parkuara në dy parkingjet afër sheshit ‘Bill Klinton’”, ka thënë Flora Ahmeti zëdhënëse në Policinë e Kosovës për rajonin e Prishtinës.

    Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 20-vjetorit të çlirimit, ish-presidenti amerikan mori pjesë edhe në përurimin e një pllake afër shtatores së tij në bulevardin “Bill Clinton”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!