×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Berisha: Disa rekomandime si të evitohen rreziqet nga Rusia

    Reporteri
    25 Shtator 2019 | 9:45

    Kandidati për deputet nga radhët e AAK-së dhe ish-zëvendësministri në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Anton Berisha ka përmendur disa shtylla ku Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të fokusohet për të ndalur sulmet agresive të Serbisë dhe Rusisë në rrafshin gjeopolitik.


    Sipas Berishës instrumente armiqësore dhe jo-ushtarake po vazhdojnë të përdoren kundër Kosovës në mënyrë që të krijohet preteksti për një shtet të dështuar dhe të nxitet separatizmi lokal brenda komunitetit serb në Kosovë, shkruan Reporteri.net.

    Berisha ka thënë se çdo përfshirje e Rusisë në raport me Kosovën, është e dëmshme për interesat e BE-së, SHBA-ve, Ballkanit Perëndimor në përgjithësi – dhe natyrisht, Republikës së Kosovës. Sipas tij është thelbësore që në zgjidhjen e çështjeve Kosovë-Serbi, BE-ja dhe SHBA-të, të mos favorizojnë preferencat dhe shqetësimet e Rusisë.

    Postimi i plotë i Berishës: 

    Shtyllat e Politikës së Jashtme – VI

    Kundërshtimi i angazhimit negativ të Rusisë në Republikën e Kosovës

    Prapavija

    Strategjitë e politikës së jashtme të Moskës kundrejt Ballkanit kanë ndryshuar me kohë. Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dështuar në zgjidhjen e raporteve Serbi-Kosovë, Rusia ka shkuar nga një mbështetëse e plotë e Beogradit deri tek marrja e rolit (gjoja) të ndërmjetësit, dhe duke e paraqitur veten si palë konstruktive e hapur për dialog me të gjitha anët.
    Instrumente armiqësore dhe jo-ushtarake vazhdojnë të përdoren kundër Kosovës në mënyrë që të krijohet preteksti për një shtet të dështuar dhe të nxitet separatizmi lokal brenda komunitetit serb në Kosovë.
    Është vështirë të vlërësohet gjerësia e ndërhyrjes së tillë për shkak të mungesës së të dhënave fizike. Megjithatë, është shumë e mundshme që Rusia po ndjek një agjendë përcarëse, sipas interesave më të gjera të angazhimit rus në rajon dhe duke injoruar objektivat politike të SHBA-ve dhe BE-së.
    Prezenca e mediave pro-ruse në Serbi vlerësohet si faktor I rëndëishëm në përhapjen e propagandave pro-ruse tek serbët në Kosovë dhe në krijimin e përshtypjes se Republika e Kosovës paraqet rrezik ndaj sigurisë së serbëve, vecanërisht në veri të Kosovës.
    BE-ja ka forcuar padashur ndikimin e Rusisë në rajon, duke I mbajtur shtetet e Ballkanit në harresë për sa i përket anëtarësimit të tyre në BE dhe mohimin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
    Cdo përfshirje e Rusisë në raport me Kosovën, është e dëmshme për interesat e BE-së, SHBA-ve, Ballkanit Perëndimor në përgjithësi – dhe natyrisht, Republikës së Kosovës. Është thelbësore që në zgjidhjen e cështjeve Kosovë-Serbi, BE-ja dhe SHBA-të, të mos favorizojnë preferencat dhe shqetësimet e Rusisë.

    Rekomandimi

    1. Qeveria e Kosovës (QEK) duhet të njohë se sulmet kundër agresivitetit serb do të interpretohen negativisht dhe si provë e një perspektive mendjengushtë të institucioneve të Kosovës. Debati duhet të riformësohet dhe sulmet duhet të drejtohen në mënyre të vazhdueshme kah Rusia, duke treguar ndërgjegjësim gjeopolitik më të gjerë, interes të përbashkët me BE-në dhe SHBA-në, dhe në të njëjtën kohë duke adresuar cështjen e agresionit serb.

    2. Qeveria e Kosovës duhet të fokusojë përpjekjet e veta drejt bindjes së SHBA-ve, Mbretërise së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe zërave të tjerë të rëndësishëm evropianë dhe global për rëndësinë kritike të identifikimit dhe kundërshtimit të ndërhyrjes ruse në proceset politike në relacion me Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Kjo do të kërkojë një fushatë të përbashkët diplomatike që duhet të fillojë menjëhere dhe të vazhdojë gjatë 2020-ës.

    3. Për të shënuar fillimin e fushatës, duhet të ndërmerren veprimet vijuese:
    • Rregullimi I legjislacionit për viza (Visa Policy) për Kosovën, duke përcaktuar ndryshime përmbajtësore në ndryshimin e listës në kategorinë Visa-Exempt, për të përjashtuar apo minimizuar hyrjen e qytetarëve rusë;
    • Ndjekja e bashkëpunimit ndërkombëtar me shtetet skandinave dhe baltike lidhur me eksperiencat e luftës hibride;
    • Kooperimi me organizatat civile të shoqërise dhe agjensionet për zbatimin e ligjit për ndërgjegjësim ndaj propagandave nga agjensionet mediale të sponsoruara nga Rusia.
    • Sigurimi i dialogut në vazhdim me komunitetin e biznesit në Kosovë në lidhje me kërcënime potenciale nga përfaqësuesit rusë bazuar në Serbi dhe rajon.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!