×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Dialogu me Serbinë: Mesazhet e Lajçakut, prioritet e Kurtit dhe premtimet e Osmanit

    Reporteri
    02 Mars 2021 | 11:19

    Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak po qëndron në Kosovë, ku po zhvillon takime me krerët e shtetit, dhe drejtuesit e partive politike, ku temë kryesore e takimeve është dialogu me Serbinë.


    Lajçak me të mbërritur mbrëmë në Kosovë, takimin e parë e zhvilloi me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti, partia e të cilit ka fituar zgjedhjet e 14 shkurtit.

    Kurse sot me mëngjes Lajçak u takua me ushtruesen në detyrë të presidentes, Vjosa Osmani, me të cilën mbajti edhe një konferencë të përbashkët.

    Pas takimeve, të tre, Lajçak, Kurti e Osmani dolën me qëndrimet e tyre.

    “Pata një takim konstruktiv me Albin Kurtin. Ne diskutuam në thellësi për dialogun, si dhe hapat e ardhshëm drejt tij”, ka shkruar ai mbrëmë në Twitter, pa dhënë detaje më të hollësishme.

    Kurse Kurti tha se se Lajçak e informoi për procesin e dialogut në përgjithësi, por se i ka thënë se programi i VV-së përqendrohet te drejtësia dhe punësimi.

    “Më informoi me procesin e dialogut në përgjithësi. Unë shpjegova edhe një herë që ne i kemi fituar këto zgjedhje me programin tonë që përqendrohet te drejtësia dhe punësimi, se jemi në kushtet e pandemisë COVID-19, dhe se nuk jemi kundër dialogut, por e duam parimor dhe të përgatitur mirë”, ka deklaruar Kurti pas takimit me Lajçak.

    Kurti ka thënë se nuk e mohon rëndësinë e dialogut, por se nuk është prioritet i parë ose i dytë.

    Ndërsa sot në konferencën e përbashkët me Vjosa Osmanin, përfaqësuesi i BE-së, ishte paksa më i qartë ku tha se pret që të përfundojë brenda mujash dhe nën mandatin e Kurtit dhe Osmanit.

    Ai tha se se dialogu duhet të vazhdojë, por pa dhënë ndonjë date të caktuar.

    Ai e bëri të qartë se raportet e Bashkimit Evropian dhe SHBA-të, tashmë me administratën Biden kanë marrëdhënie më të afërt se që mund të parashihet.

    “Shtetet e BE dhe Shtetet e Bashkuara mbështetësin vazhdimin e dialogut për çështje që janë të rëndësishme për secilin shtetas të Kosovës, në këtë kontekst kisha një diskutim të gjatë me zotin Kurti dhe zonjën Osmani. Dialogu do të vazhdojë, do t’i krijojmë disa procedura interne”, tha emisari i BE-së që në fund bëri thirrje për unitet politik në Kosovë.

    Lajçak tha se do ta mbështesë programin elektoral të Kurtit e Osmanit.

    “Mesazhi i tretë i imi është mbështetja për programin elektoral të z.Kurti dhe zonjës Osmani. BE do të mbështes vendet e reja të punës e luftimin e korrupsionit, këto janë edhe prioritete tona”, ka thënë ai.

    Mesazh tjetër i tij ishte që të ketë unitet mes partive në Kosovë për dialogun.

    Kurse u.d. e presidentes, Vjosa Osmani tha se Osmani ka thënë se ia ka bërë të qartë Lajçakut se procesi i dialogut duhet të ketë një rishikim dhe të fillojë një kapitull i ri në këtë proces dhe se nuk lejojnë të negociojnë për kufijtë.

    Osmani kur u pyet nga gazetarët nëse Kosova duhet të jepet diçka, ajo mohoi këtë duke thënë se Kosova nuk duhet të konsiderohet si shportë e pemëve dhe perimeve.

    Ndryshe sot gjatë ditës përfaqësuesi i BE-së, takoi edhe u.d. të kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj dhe kryetarin në dorëheqje të LDK-së, Isa Mustafa dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!